Kryeministri Edi Rama kërkoi mandatin e tretë nga Fieri, gjatë një takimi me qytetarët fierakë, ku shpjegoi dhe arsyet pse, sipas tij, duhet votuar sërish PS.

Në fjalën e tij, Rama sulmoi opozitën, teksa tha se shqiptarët janë tërhequr jo njëherë pas atyre sirenave, duke shkuar pas haxhiqamilëve e sudeve, por në fund është paguar shumë shtrenjtë kostoja.

“Tërmeti dhe pandemia në e kthyen mandatin e dytë në një front lufte. Ne kemi pasur një mandat qeverisës dhe pastaj kemi hyrë në një luftë, e cila vazhdon, por ne në asnjë mënyrë nuk mund ta lëmë në mes. Më 25 prill ndahet qartësisht nëse ne shqiptarët kemi vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj lufte, apo nëse do të bëjmë atë që të kthejmë Shqipërinë pas. Jo njëherë në historinë tonë jemi tërhequr pas atyre sirenave, duke shkuar pas haxhiqamilëve, apo sudeve, dhe kemi paguar shumë shtrenjtë koston. Ne sot kemi arsye të ndjehemi më të fortë përballë armikut të padukshëm. Do vazhdojmë të vaksinojmë përditë, për ta lehtësuar sezonin turistik. Në këtë përballje ne jemi shumë të vëmendshëm për të vazhduar luftën. Vaksinimi pa distancimin është i pamjaftueshëm. Mungesa e distancimit rrit infektimet dhe kjo e fundit rrit shkallën e vështirësisë dhe zgjat në kohë fitoren e kësaj lufte.

Me keqardhje ne duhet të mos biem në tundimin e krijimit të vatrave të infektimit. Është papërgjegjshmëri e madhe, pabesi e madhe ndaj njerëzve, që për disa vota, që për pushtet, që për një ambicie të sëmurë, të tërheqësh ata që janë të gatshëm të vijnë e të qëndrojnë pranë, në një rrugë ku mund të plagosen rëndë dhe larg qoftë mund të humbin jetën. Ata thonë se para 8 vitesh ndodhi një aksident, fitoi PS me Edi Ramën. Sipas tyre, para 8 vitesh populli bëri një gafë të madhe. Kjo tregon se ata jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime, nuk janë reformuar dhe përgatitur për t’u rikthyer mbi bazën e mësimeve të nxjerra, por ata duan të kthehen për të na kthyer të gjithëve atje, në momentin kur ndodhi aksidenti. Nuk është e rastit që atje vazhdon mbretëron Saliu.

Më thotë Luli “pse merresh me mua?” Po me kë të merrem? Me Lulin nuk duhet të merreshim fare, se është thjesht një kukull, është Gjino që kërkon nuse, ndërsa ai trimi që gjuan me gur atje te tregimi dihet që është Iliri. Ashtu siç dihet shumë mirë pse i ati i Gjinos kërkon Marigonë, por Marigoja është Shqipëria, që nuk mund të bëhet më plaçkë. Nuk ka për t’u bërë dot më plaçkë, sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe ne do ta ngremë në një nivel tjetër. Por për këtë duhet mandati i tretë, i cili është një mandat për të garantuar çka kemi arritur dhe për të krijuar kushtet që të kemi arritjet që duam në të gjitha fushat. Ne e duam mandatin e tretë që të sjellim këtu universitete të huaja. Pse të mos ndërtojmë këtu në Fier një universitet të mjekësisë ekselence, të lidhur me spitalin, dhe pse jo me Turqinë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb