TIRANË

Deputeti i PD-së dhe ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu deklaroi sot në “Frontline” në News24 se nisma “Ballkani i Hapur” bie ndesh me vendin tonë dhe konceptet ekonomike.

Sipas tij, Vuçiç nuk synon integrimin europian por një dominim ekonomik. Shehu tha më tej se deklarata e Escobar e bëri të paqenë këtë nismë.

“Ballkani i Hapur është një nismë që bie ndesh me ne, dhe me konceptet ekonomike, bie ndesh dhe me elementët ekonomikë sepse vetë procesi çon në një dominim të Serbisë. Procesi i Berlinit është një nismë europiane ku në krye ë BE, Open Balkan është një nismë rajonale ku në krye është Vuçiç. Kosova nuk është e barabartë. Vuçiç nuk synon integrimin europian por një dominim ekonomik. Procesi i Berlinit ka një faturë të madhe financiare, 6-8 mld. Open Balkan ka zero investim vetëm shpenzim. Këto pika bëjnë pjesë në Procesin e Berlinit dhe në CEFTA, pse të marrim një proces vuçiçian.
Lehtësimin e tregtisë e ke CEFTA-n. Në qoftë se nuk krijojmë një kompensim në lëvizjen e mallrave padyshim që Shqipëria do jetë në vështirësi të mëdha ekonomike.
Bujqësia në Shqipëri subvencionohet 2 euro për ha, në Serbi 80 euro për ha. Pra, prodhimi bujqësor serbe e mbyt prodhimin tonë. Procesi i Berlinit ka faturë financiare për subvencionet.
Shikoni me vëmendje dhe deklaratën e Escobar. Ai tha ne do ta përkrahim kur të bëjnë pjesë të gjitha vendet e rajonit. Pra, po e deshët të gjithë ok vazhdoni. E dyta tha që Ballkani i Hapur duhet të mbetet vetëm një nismë ekonomike dhe jo politike. Pra, një nismë e tillë e nisur nga serbët, padyshim ka komponentin e fortë politik, të cilin e preu Escobari. Po të thuash që të mbetet vetëm në nivelin ekonomik është handikapuar, nuk zhvillohet. E gjithë kjo nismë është politike. Nuk mund të ketë nisma ekonomike pa vullnetin politik. në radhë të parë është orientimi politik dhe më pas ekonomik. Pse e deklaroi atë gjë, sepse kjo nismë synon të devijojë rrugën e Shqipërisë. Prandaj ia mohoi të drejtën e një nisme politike. Që në atë moment e bëri të paqenë Escobar këtë nismë”, deklaroi Shehu.

Ai theksoi më tej se kjo është një nismë që synon të maskojë dështimin e Ramës në rrugën e integrimit dhe se Shqipëria sot është në udhëkryq të madh historik.

“Ata përkrahin rrugën tonë të integrimit europian, kurse vendet europiane i kanë vënë kryqin kësaj nisme.
Kjo është një nismë që synon të maskojë dështimin e integrimit europian nga Rama, duke i hedhur një vello tjetër kësaj nisme. Kërkon të maskojë dështimin e Ramës në rrugën e integrimit.
Ishte një shprehje e rëndë ajo që tha për viktimat. Këtu janë elementë politikë të lidhura. Kjo nismë nuk mund të ndahet nga elementët politikë. në thelb është bashkëpunimi politik Rama-Vuçiç. Shqipëria sot për fat të keq është në udhëkryq të madh historik. Nga aventurat e kësaj qeverisjeje”, tha Shehu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb