TIRANË

Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi publikoi sot dokumente lidhur me procedurën e ndjekur për inceneratorin e Tiranës, të cilin e konsideroi një aferë korruptive.
“Me përgjegjësinë për të thënë të vërtetën dhe me bindjen e palëkundur timen që LSI ka zero tolerancë ndaj çdo afere korruptive, ka zero tolerancë ndaj çdo bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me grupet mafioze. Ka zero tolerancë ndaj çdo grabitjeje që u bëhet xhepave të shqiptarëve.

Prandaj jam sot këtu, me personin tim fizik, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë.”- u shpreh Kryemadhi.

Ndërsa shpjegoi procedurën e ndjekur nga momenti kur ‘Integrated Energy’ shpreh letër interesi për ndërtimin e një landfilli, te fakti që Ministria e Mjedisit i kthen përgjigje për 4 ditë dhe deri te ngritja e komisionit të përbashkët me Bashkinë e Tiranës, Kryemadhi u shpreh se do i drejtohet SPAK lidhur me këtë çështje, duke firmosur ‘live’ padinë.

“Në gjithë këtë të vërtetë, unë sot do t’ia drejtoj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ose siç e quajmë ne në kuadrin e Reformës së re në Drejtësi, SPAK-ut, dhe shpresoj që identitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni ta shikoj në vazhdim. Një kallëzim penal që unë si Monika Ramazan Kryemadhi ja drejtoj SPAK-ut për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjël Agaçi, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alçi Bllako që sot është drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe Mbetjeve Urbane. Kallëzimi për veprën penale ‘shpërdorim detyre. Në prezencën tuaj po e firmos.

Është një padi prej 20 faqesh dhe jam e bindur që nuk do të kenë kohë qytetarët për ta lexuar, por duke parë më pas faktet e tjera dhe duke i shkurtuar pak më shumë materialet për ti bërë prezente, do të shoqërohen me të gjithë këto dokumente që janë mbi 47 file, që janë me mijëra faqe, ku ka socialistë, njerëz të ndershëm të cilët janë të gatshëm të ofrojnë bashkëpunimin edhe ndoshta sepse sistemi i drejtësisë mund ti ketë në zyrën e tij. Megjithatë unë nuk do të ndalem, sepse kjo është ajo që ne përfaqësojmë. Ne duam që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve, ne nuk duam që Shqipëria të jetë shtëpia e rrjepaxhinjve të cilët grabisin dhe rrjepin shqiptarët dhe po i largojnë nga Shqipëria.”- u shpreh Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb