Shqipëria i bashkohet thirrjeve të BE e SHBA drejtuar Rusisë, që të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina.

Në një konferencë për media, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, tha se udhëheqësit e Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tyre ndaj Ukrainës.

“Sulmi ndaj Ukrainës përbën një akt lufte, një akt agresioni krejtësisht të pajustifikuar kundër një vend sovran, të pavarur e paqësor. Ky veprim është një agresion i hapur jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj paqes e sigurisë në botë. Pushtimi i Ukrainës është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, që Rusia pretendon se respekton.

 

Së bashku me aleatët tanë ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës dhe Presidentit të saj, parlamentit e qeverisë së Ukrainës. Mendimet tona janë dhe shkojnë te të gjithë familjet e viktimave e të plagosurve. Ne i bashkohemi plotësisht deklaratës së NATO për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, e cila i bën në fakt thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga rruga e dhunës dhe agresionit. Udhëheqësit e Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tyre. Si anëtare e NATO, dhe si kandidate për anëtarësimin në BE, Shqipëria ka ngritur zërin dhe i është bashkuar pa rezerva të gjitha vendeve pro Ukrainës”, tha Kodheli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb