TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot se bujqësia merr mbështetjen më të ulët në rajon. Duke folur për buxhetin e sjellë nga qeveria për 2022, Basha tha nga foltorja e parlamentit se ndërsa fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme kanë dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë.

Basha theksoi se Shqipëria është vendi më i varfër i Europës, si pasojë e pandëshkueshmërisë që e ka bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës. Ai u shpreh se shuma e dëmiy e shkaktuar nga gjyqet në Arbitrazh, mund të ishte përdorur për buqësinë.

“Bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit.
Duke i bërë jo konkurruese produktet tona. Duke i shkatërruar fermerët tanë. Dhe ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme keni dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë.
Edhe tani që flasim, fermerët janë në rrugë për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në rajon e gëzojnë çdo ditë, nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi.
Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse ata detyrohen të flakin produktet e tyre, detyrohen të emigrojnë, të punojnë tokat e vendeve fqinjë, sepse paratë e taksave që ju shpërdoroni, nuk shkojnë për ta”, tha Basha.

“Por ju, ne, të gjithë shqiptarët e dimë, që ky nuk është i vetmi dëm që i keni shkaktuar ekonomisë.
Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, ku thuhet se shteti shqiptar duhet të paguaj nga buxheti 388 milionë euro për vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Arbitrazhet e famshme, ku kur bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve, ju vetëm humbni. Një shumë e frikshme, që mund të ishte përdorur për bujqësinë, për ata familjarë që sot dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë”, u shpreh kreu i PD.

Sipas tij, të jesh i varfër në një vend të pasur, do të thotë se shteti nuk është më aty për t’u shërbyer njerëzve.
“E si të mos mjaftonin sfidat e natyrës ekonomike, pasojat e zgjedhjeve të gabuara ku thelat i keni ndarë për oligarkët dhe thërrimet për qytetarët, që po varfërojnë dhe largojnë shqiptarët, impakti në shoqëri është edhe më dramatik. Ai shihet në sfidën dhe karshillëkun e përditshëm që korrupsioni dhe krimi i bën shoqërisë, duke ofruar si model antivlerat që dekurajon të qenit të ndershëm, dekurajon përpjekjet për të ndërtuar një jetë më të mirë, që gjymton parimet bazë mbi të cilat ngrihet një shoqëri e shëndetshme.
Kjo gjendje politike, ekonomike dhe shoqërore, që e ka kthyer Shqipërinë në vendin më të varfër të Europës, është pasojë e pandëshkueshmërisë që e ka bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës.
Të jesh i varfër në një vend të pasur, do të thotë se shteti nuk është më aty për t’u shërbyer njerëzve.
E që kjo sallë të jetë në shërbim të interesave më të mira të shumicës së shqiptarëve, që të propozojë dhe votojë iniciativa që mund të hapin një horizont të ri për jetën e të rinjve dhe të rejave, nuk mund të jetë strehë e njerëzve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Dhe që debati politik dhe ekonomik të vendoset në shinat e duhura, që vendimmarrja të ngrihet në nivelin e sfidave që Shqipëria ka përpara saj, është jetike që ne të përballemi me plagën më të madhe të shoqërisë sonë, me emergjencën kombëtare, nga e cila burojnë problemet e vogla e të mëdha të shqiptarëve: Korrupsionin”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb