Pjesa verilindore dhe juglindore e vendit është prekur nga reshje të dendura dëbore. “BalkanWeb”, bën një panoramë të plotë të asaj që po ndodh në këto zona. Gazetarja Lorena Kodra, raporton se në Korçë ka pasur reshje dëbore, ndërsa problematike sipas saj paraqitet situata në fshatra. Në disa prej tyre, sipas gazetares, është shkëputur energjia elektrike. Po ashtu, autoritetet kanë këshilluar qytetarët që të respektojnë sinjalistikat rrugore dhe të tregojnë kujdes.

“Prej mbrëmjes në terren kanë zbritur mjetet borëpastruese, ndërkohë që apelohet për drejtuesit e mjeteve që preferojnë juglindjen, të kenë kujdes me lëvizjet. Këshillohet reduktimi i shpejtësisë, të pajisen me goma dimërore dhe në këto akse të mos ketë probleme. Ka reshje që kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme”, u shpreh Kodra.

Gazetari Andi Shota, raporton për “BalkanWeb”, se në Krujë, reshje dëbore janë regjistruar në kampin e Qafë-Shtamës, ku trashësia e saj është 5 cm. Deri më tani nuk ka raportime për problematika serioze.

“Reshjet e dëborës kanë bërë që disa zona në Krujë niveli i dëborës të shkoj deriu në 5 cm, në kampin e Qafë Shtamës është niveli më i lartë i dëborës. Nuk ka problematika, për rrugë të bllokuara, por reshjet aktualisht kanë ndaluar. Deri më tani nuk ka pasur probleme me energji elektrike, zona është furnizuar me energji elektrike pa probleme”, u shpreh Shota.
Ndonëse u inaugurua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, Rruga e Arbrit është mbyllur, për shkak të dëborës së dendur dhe ngricave në bypass-in e Qafës së Murrizës. Gazetari Enver Doçi, raporton se rruga është mbyllur përkohësisht dhe kalimi bëhet përmes rrugës ekzistuese. Po ashtu, ai shton se problematike është paraqitur situata në disa fshatra të rrethit të Dibrës, ku trashësia e dëborës është 40 cm, ndërsa në Peshkopi, trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15 cm.

“Situata në Dibër ka pasur probleme për shkak të reshjeve të dëborës. Në zonat e thella trashësia e dëborës ka mbërritur në 40 cm, ndërsa në qytet 15 cm. Sipas informacioneve që kemi, në këto njësi nuk kanë lëvizur furgonat e fshatrave drejt zonave të banuara. Sa i përket Rrugës së Arbrit, është e bllokuar në tunelin e Qafë Murrizës, te bypass nuk kalojnë asnjë makinë, për arsye se ka pasur reshje dëbore dhe ngricë. Makinat vazhdojnë në rrugët e vjetër”, Doçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb