Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar Ministrin e Administratës Publike, Ivan Teodosijeviç, pasi ky i fundit ka ofenduar publikisht shqiptarët, duke i qujtur terroristë dhe gjakpirës. Po sipas Teodosijeviç edhe Masakra e Reçakut mbi shqiptarët është një trillim.

Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë, thotë Haradinaj në një status në Facebook, ku njoftoi edhe vendimin e marrë.

STATUSI I PLOTE I HARADINAJ

Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.

DEKLARATA E TEODOSIJEVIC
Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë ashtuquajtura katastrofa humanitare në Kosovë. Masakra e Reçakut ishte një trillim, kurse janë terroristët shqiptarë që trilluan gjithçka, duke kryer krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbë të mirë dhe policë në vendet e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar gjatë agresionit të NATO-s, dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqeruajtës në Kosovë”, ka deklaruar ministri Teodosijeviç.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb