Një 31-vjeçar shqiptar do të ekstradohet nga Britania e Madhe për në Belgjikë, ku do të përballet me akuzat në lidhje me krimet e emigracionit dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Elio Danaj u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit të mërkurën dhe prokurorët blegë kërkuan ekstradimin e tij nga autoritetet londineze, pasi pretendojnë se ai është i përfshirë në një bandë kriminale që lehtësonte hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm.

Danaj u arrestua nga policia Metropolitane pasi mbi të rëndonte një urdhër-arresti europian.

Ndërkohë mediat britanike i bëjnë jehonë informacioneve të rrjedhura nga një raport sekret i ushtrisë në vend, që ka zbuluar se 40% e njerëzve që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë nga Shqipëria, ku nuk ka pasur luftë për 25 vjet, që do të thotë se nuk ka gjasa të jenë refugjatë.

Raporti pasoi një operacion survejimi nga Marina Mbretërore dhe ekspertët e inteligjencës. Në të thuhet gjithashtu se nga data 1 qershor deri më 12 korrik të këtij viti, një në katër emigrantë të vëzhguar ishte nga Shqipëria.

Në statistikat e fundit të Home Office për azilin, thuhet se deri në fund të marsit 2022 numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar ishte dyfishuar në pothuajse 5000, më shumë se sirianët dhe afganët, dhe numri i katërt më i madh pas Iranit, Irakut dhe Eritreas.

Dokumenti i zbuluar ka dhënë emra të koduar për secilën nga nëntë bandat që organizojnë trafikun e emigrantëve shqiptarë, të cilat janë: Dragon, Lotus, Gorgon, Behemoth, Colossus, Titan, Tiamet, Hydra dhe Leviathan.

Mes tyre këto banda kanë organizuar transportin e 2,863 emigrantëve në qershor dhe korrik. Nga këta, 1075 ose 37.5% ishin shqiptarë. Iranianët ishin numri më i madh i radhës (13%) të ndjekur nga emigrantët nga Afganistani (12.7%).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb