Shqiptarët e kanë zemrën e madhe sa malet. Në këto ditë të vështira shqiptarët kudo që ndodhen në botë i ka bashkuar dhimbja e madhe sakrifica dhe solidaritet. Thumana por jo vetëm është kthyer në vendin e dhimbjes për çdo shqiptar që humbën familjarët nga tërmeti me pasoja katastrofike.

“Shqiptarët për shqiptarët” ishte sërish në Prishtinë “N’Kosovë Show” atje ku Elvis Naçi për të dytën natë radhazi po drejton një eveniment të madh për t’u shprehur solidaritetin por edhe për t’ua zgjatur dorën bashkëkombësve tanë që po përjetojnë ditët më të vështira. I ftuar është edhe artisti i merituar Mirush Kabashi.
Në studio Naçi është me producentin dhe njëkohësisht moderatorin Shpëtim Desku ashtu si mbrëmë ka vendosur që emisioni “N`Kosovë Show” t`i kushtohet komplet Thumanës.
Sidrit Bejleri ka emocionuar pasi ka nisur emisionin duke kënduar himnin Kombëtar.

Gjatë emisionit do të transmetohet edhe një reportazh ekskluziv nga Thumana i përgatitur nga stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”.
Në emisionin që transmetohet drejtpërdrejt në “News 24” janë vënë në dispozicion numra, ku shqiptarët mund të kontribuojnë për të prekurit e tërmetit që tronditi Shqipërinë siç bënë edhe mbrëmjen e së enjtes.

Shqiptaria nuk ngurron të tregojë gjithë madhështinë e saj atëherë kur duhet më shumë. Mijëra njerëz të heshtur po japin shumë nga ajo pak që kanë për vete. Elvis Naçi tha në studio se shqiptarët e Kosovës nuk e kanë harruar ndihmën e Shqipërisë në kohën e luftës, ata kthyen të mirën.

Mësohet se mbrëmjen e djeshme në këtë emision u thyen edhe të gjitha rekordet e bamirësisë, vetëm në llogarinë gofundme, u dhuruan mbi 500 mijë euro nga shqiptarët. Në mesnatë, shoqata “Shqiptarët e Suedisë” dhuroi 100 mijë euro.

Moderatori Desku tha se shumat të cilat janë ardhur nga paypal, apo nga bankat e ndryshme ende nuk janë numëruar, por sipas tij është një shifër jashtëzakonisht e madhe. Sipas statistikave emisioni në Kosovë u pa nga 2 milionë shqiptar, shifër absolut rekord e pa dëgjuar në trojet shqiptare. Emisioni maratonë mbrëmë zgjati mbi 6 orë transmetim live.

“S’ka më dy emisione, sot kemi një mision. Tre mesazhe doja t’i ndaja: çdo kontribut që është dhënë, duke qene se banka nuk i azhornon të hënën ose të martën mbasdite ne do të bëjmë tranparencën e plotë të llogarive gofundme ose paypal. Unë dua të bëj kontributin tim, po shikoja fitimet nga Youtube, fitimi është 14.000 dollarë, 10.000 dollarë nga klikimet shkojnë për Thumanën. Çdo person që ka dhënë kontribut do t’i shkruajmë në një libër emër mbiemër dhe shuma. Do mbetet në histori”, tha Elvis Naçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb