Në raport me popullsinë, azilkërkuesit shqiptarë ua kalojnë edhe “të arratisurve nga vendet me konflikte” megjithatë aplikimet e tyre janë më të refuzuarat në vendet e BE-së.

80% e aplikuesve janë më të rinj se 34 vjeç, ndërsa mijëra maturantë e gjejnë shpëtimin tek studimet jashtë vendit edhe pse shifrat për ata që zgjedhin të ikin nuk janë të qarta.

Prej vitesh, Bashkimi Europian po përballet me emigrantët nga vendet e Lindjes që po arratisen nga konfliktet civile, por në mesin e tyre është edhe Shqipëria, e cila nuk është e përfshirë nga asnjë konflikt civil por është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Pjesa më e madhe e aplikimeve të reja nga shqiptarët janë regjistruar në Francë, rreth 43% e totalit.
Duke qenë se shteti francez ndjek politika më pak shtrënguese në lidhje me azilantët sidomos kur kanë fëmijë të vegjël, prej kohësh Franca është bërë vendi kryesor i shqiptarëve që kërkojnë azil.

Në zyrat e emigracionit në vendet e Bashkimit Europian qëndrojnë shumë dosje të mbetura pezull.
Raporti i fundit i EASO, zyrës europiane te azilit, një organizatë jo qeveritare tregon se 24 muajt e fundit janë regjistruar 11.650 kërkesa për azil që presin të shqyrtohen në vendet e BE.
Në 2018-ën, numri i aplikimeve për azil në raport me një vit më parë u ul me 14%.

Por, shqiptarët rezultojnë që janë të refuzuarit më të mëdhenj të Europës. Nga periudha 2014-2018 janë refuzuar gjithsej 96 mijë kërkesa nga shqiptarët, që në vlerë absolute është më e larta nga të gjitha vendet e tjera të botës dhe përbën 11% të totalit të refuzimeve nga e gjithë bota.

Në 2018-ën, numri i refuzimeve ishte mbi 10 mijë dhe thuajse gjysma e tyre shënohen në Francë. Në më shumë se 90% të rasteve, autoritetet e emigracionit të shteteve përkatëse të Bashkimit Europian kanë marrë vendimin për të refuzuar kërkesën. Vetëm 1% e rasteve kanë marrë statusin e refugjatit dhe po aq iu është garantuar një autorizim për të qëndruar për arsye humanitare, ndërsa 5% kanë marrë statusin e mbrojtjes.

Shqipëria, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë përqindjen më të lartë të vendimit për të refuzuar kërkesat për azil. Eurostat ka publikuar edhe shifrat e individëve që janë urdhëruar të largohen nga Bashkimi Europian. Në 2018-ën, rreth 22,380 shqiptarë u urdhëruan që të largohen. Kjo shifër mund të jetë edhe meë e lartë për shkak se Gjermania nuk i raporton numrin e dëbimeve me forcë nga vendi.

Duke qenë se norma e refuzimit të kërkesës për azilkërkuesit shqiptarë është shumë e lartë, shumë bëjnë kërkesë të parakohshme për të hequr dorë nga azili, që “të mos djegin” lëvizjen e lirë në zonën “Schengen”. Heqja dorë nga kërkesa për azil i bën shqiptarët mesa duket të kenë mundësi të punojnë në një nga vendet e BE-së me periudha tremujore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb