S’do mend se zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të jenë interesant edhe për faktin se është një matje e lehtë, e votuesit, se çfarë disponimi ka në raport me partitë politike.

Kandidatët maqedonas, Gordana Siljanovska e VMRO d.m.th. e opozitës maqedone, Stevo Pendarovski i LSDM në pushtet dhe profesori Blerim Reka, si i vetmi shqiptar do sjellin një garë me të papritura në këto zgjedhje presidenciale pas pavarësismit të vendit nga Jugosllavia. Ky i fundit, profesori Blerim Reka sfidoi një mentalitet shtetëror që shqiptarin e do të një formati ashtu sic e ka në qeveri, pa kriter, pa dinjitet, pa platformë, thjeshtë një grup etnik që i shërben ekskluzivisht interesit të vetë dhe një grupi që i kënaq interesat vetanake, assesi të shqiptarit në Republikë. Gara presidenciale është interesante edhe për faktin se partitë maqedone menduan se do kenë një përballje monoetnike në shtetin e proklamuar multi etnik e ku etnia maqedone i mban frerët e shtetit në dorë. Kandidatura shqiptare mjaft i ka shqetësuar kampet politike maqedone për arsyen sepse nuk kishin bërë llogari se do të ketë një kandidat shqiptar, i cili ua prishi matematikat dhe kombinatorikat. Kjo për faktin se partitë maqedone me kujdes duke e përdorur abuzimin me pushtetin i mban nën dry kërkesat shqiptare nëpërmjet atyre që sot janë në pushtet d.m.th. BDI, e bishtat tjera që kanë dosje të veprimtarive kriminale dhe abuzuese në emër të një patriotizmi të rrejshëm që e proklamojnë mes shqiptarëve thjeshtë si dekor.

Kampet politike maqedone pavarësisht se me një ideologji që e plasojnë në media dëshirojnë ta dëshpërojnë votuesin shqiptar duke ia bërë me dije se s’ka gjasa për të fituar, sepse sistemi është krijuar si i tillë për ta diskriminuar shqiptarin, dëshirojnë që më tutje ta rrënojnë organizimin politik shqiptar. E vërteta është se partitë shqiptarë që marrin pjesë në koalicion me LSDM e që i përmenda më lartë nga frika e humbjes së pushtetit te shqiptarët vrapuan pa kurrfarë nevoje të futen në një garë që shqiptarin edhe më tutje e zvetënon duka ia falur fuqinë politike pakuptim skeptrit politik maqedon, e me këtë duke e trashur trupin dhe peshën politike të doktrinës maqedone. E pakuptueshme mbetet se pse e bënë këtë veprim duke iu bashkangjitur një koncepti maqedon konglomerati i partive shqiptare në pushtet, në rrethana normale të një organizimi të mirëfilltë politik e demokratik do duhej të garojnë pasi partitë janë krijuar që të marrin pjesë në garë për pushtet. Por nga ajo që pamë muajt e kaluar ku zv/kryeministri i Maqedonisë së V. Bujar Osmani është nën hetime, kur kryetari i partisë minore në qeveri, Menduh Thaçi u dënua për abuzim me zgjedhjet dhe procesin zgjedhor,  kur proceset gjyqësore janë të hapura përfshirë edhe për të parin e partisë BDI në pushtet, Ali Ahmetin dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Musa Xhaferin i dëgjuam në verzione mjaft të ndjeshme, përgjigjen e gjeni lehtë se pse vrapuan të bëhen bisht i partive maqedone. Kjo s’do mend se këtyre partive do t’iu kushtojë dhe është fillimi i një procesi që e kam quajtur pranvera politike shqiptare. Që nënkupton ndryshimin e  partive shqiptare që qeverisin në Maqedoninë e Veriut, pasi që nga ajo që pamë këto parti ishin në shërbim të politikës maqedone dhe punuan kundër interesave shqiptare nën tavolinë. Fundja edhe incizimet që i dëgjuam e nuk i dëgjuam si bombat e Zaevit, treguan se në çfarë mase ishin të inkriminuar së bashku me Nikolla Gruevskin figurat kryesore shqiptarë të skenës politike në Maqedoninë  e V. Prandaj u duhet që të jenë në koalicion duke e shpëtuar vetveten, pasurinë që e kanë krijuar, veprimet e turpshme që i kanë bërë dhe duke i siguruar vetvetes rahati dhe qeverisje deri sa të munden.

Realisht shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ballafaqohen me stuhinë, e cila do t’i zhbëjë kombëtarisht e politikisht pikërisht nga njerëzit që thirreshin në emër të një kauze, të cilën nuk e kanë, por e përdorin patriotizmin e djemve dhe vajzave më të devotshme shqiptare thjesht për interesa të vetat apo në shërbim të kauzës maqedone.

Vetë lajmi që qarkullon se Akademia e Shkencave e MKDV ia ka nisur liderëve të dy partive maqedone se duhet të luftojnë t’i ruajnë këto parti shqiptarë që i kanë në qeveri flet më së miri se cilës kauzë i shërbejnë këto parti shqiptare. Vetë ky lajm flet se duhet që në mënyrë doktrinare shqiptarët të lirohen nga kjo mendësi e cila abuzon me ndjenjën shqiptare duke e shitur lirë për një post apo për një vepër kriminale e që na dëmton më tutje. Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të V. ka një peshë të madhe pasi që them se këto zgjedhje do të tregojnë një gjë se shqiptarët janë faktori determinues i proceseve në këtë vend, e me këtë artikulimi politik i kandidaturës së profesorit Blerim Reka dhe partive shqiptarë që e mbështesin janë shpresë për ndryshimet e pritura te shqiptarët në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb