Nga: ILIRIAN ZHUPA*

Pavarësisht nga arritjet dhe vonesat, duhet nënvizuar se në këtë çerekshekull të fundit të historisë sonë, ne si shqiptarë të Shqipërisë kemi shpenzuar energji të mëdha për bëma të vogla. Shpesh me duf e pasion patetik e arkaik, e shpesh me vetpërmbajtje fshatareske, vuvëri dhe yes-llëk të tepëruar. Duke folur jo rrallë keq, e duke heshtur dendur edhe më keq. Me ngërdheshje brenda, e me buzëqeshje jashtë. Pasi, pavarësisht nga energjitë e shkapërderdhura, pjesa më e madhe e arritjeve kanë qenë më shumë produkt i lëvizjeve globale, europiane e rajonale, sesa produkt i investimit tonë direkt. Investim që edhe kur ka qenë i njëmendtë, është gjymtuar në teatralitetin e marifeteve tona, hashëmeve dhe shtirjeve lokale. Ndërkaq, kemi vazhduar e vazhdojmë pa pra, përpjekjen për t’i nxjerrë sytë njeri-tjetrit, në një kërleshje tragjikomike e primitive.

Ndryshe na ka ndodhur me ata që s’dinë, s’flasin e s’ndjejnë shqip. Po edhe me ata që s’duan shqip. Të mëhallës sonë, apo të mëhallave të tjera të botës. Me qëllim që të “shitemi” djem dhe vajza të mira, u jemi shmangur ballafaqimeve e problematikave. I kemi lënë përgjithësisht të flasin e të diktojnë, çfarë ata kanë në axhendat e tyre, duke tundur kokat tona. Si inferiorë, kemi folur me ta më pak për problemet që duhet të ndajmë dhe më shumë për motin. Si të thuash, kemi mbajtur përgjithësisht iso, kur sipas rregullave e zakoneve, çdonjeri nga sebepçinjtë, ka të drejtën edhe t’ia marrë këngës.

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, përpos faktit që i bëri të ndjehen me gojë dhe me zemër të gjithë shqiptarët, vendosi për diplomacinë tonë një standart të ri komunikimi. Një standart që e dimë që në krye të herës, por që të zgjedhurit dhe përfaqësuesit tanë rrallë e kanë vënë në punë, ose e kanë vënë në punë në mënyrë të mangët. Për njëmijë e një arsye. Nga kompleksi i inferioritetit periferik, interesave e makutërisë personale, ekonomike, politike, pushtetmbajtëse, etj, etj. Kësisoj, edhe pse në sytë e ndërkombëtarëve udhëtimi serb ka krijuar makthe, mjegulla dhe mungesë të qartë orientimi, ne, fqinjët me korrespodencë të Serbisë, kemi vazhduar të dëgjojmë më shumë dhe të flasim më pak. (Këtu përjashtojmë investimin e gjithanshëm për luftën dhe pavarësinë e Kosovës, investim i miqve tanë të mëdhenj, ku edhe ne kontribuam me sa ditëm dhe sa mundëm). Mbledhur të gjitha së bashku, siç shënon diplomati dhe analisti i përkorë, Shaban Murati, në librin e tij “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, kemi krijuar në rrjedhën e viteve një asimetri marrëdhëniesh me Serbinë. Asimetri të sjelljes, asimetri të strategjisë dhe asimetri të angazhimit diplomatik.

Në inercinë e mentalitetit rural të keqkuptimeve dhe keqformimeve tona, vizita e kryeministrit Rama në Beograd, u shoqërua me thënie dhe kundërthënie nga aradha të tëra hulumtuesish e letërshkruesish. Nga ata që dinë të rrinë në sipërfaqe të gjërave dhe që veprimin diplomatik e perceprojnë thjesht si show. Që nga spektri i ngjyrave dallojnë vetëm të zezën dhe të bardhën; ndërsa nga marrëdhëniet humane vetëm dashurinë e urrejtjen. Që i intrigon shumë mënyra se si dy kryeministra e shohin në publik njeri-tjetrin, ç’gjeste bëjnë, ç’itonacione kanë dhe ç’humor gjenerojnë. Duke harruar, ose duke mos ditur, se “show” është vetëm maja e aisbergut, çfaqja publike e kuruar me sa mund, e asaj ç’ka është ballafaquar pas kuintave, në dhomën e mbyllur e pa spektatorë.

Shumë nga kancelaritë botërore e europiane, e përcaktuan këtë takim si historik. Jo për shkak të deklaratave publike që pamë dhe dëgjuam, por për shkak të një procesi të pakthimtë dy dhe më shumë palësh që ka gjasat dhe pritet të gjenerojë ky takim. Për shkak të një marrëdhënieje të hapur, “me letra mbi tavolinë”, e cila pavarësisht hutimit dhe trandjes që provokoi në çastin e parë, sapo të qetësohen pak ujërat, do të fillojë me siguri të japë produkte të shëndetshme. Jo vetëm për shqiptarët. Edhe për serbët. Jo vetëm për konsum të brendshëm, por edhe për shëndet të brendshëm; shëndet që kur është i vërtetë reflekton jo vetëm në rajon, por në gjithë familjen e madhe demokratike.
Siç na ndodh gjithmonë ne shqiptarëve, edhe kësaj here, përpjekja e sukseshme e instalimit të marrëdhënieve simetrike, ngjalli qëndrime josimetrike. Qëndrime që i ndajnë shprehësit e tyre në tre grupe. Grupi i parë i mbështetësve, të cilët e shprehën kënaqësinë e tyre ca me realizëm, ca me entusiazëm e ca me folklorizëm. Grupi i dytë i kundërshtarëve politikë e jo vetëm, pra i kundërshtarëve të protagonistëve të ngjarjes, të cilët ose përshëndetën duke belbëzuar ose heshtën dhe ju fshehën syve e veshëve të publikut. Dhe grupi i tretë i të hakëryerve të përjetshëm, që rrëmbyen gjithë çoparakët e gjendshëm; penat, mikrofonët, çomanget, hunjtë, gurët, etj, etj, për të goditur, baltosur e ç’bërë atë që u tha dhe që pritet të vijë, ndërkohë mbas fjalës… Për shkak se kur nuk pritej, u prish rregullin aq shumë i pëlqyer, që me të jashtmit të flasim vetëm ose kryesisht për motin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: