Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Grupit të PS-së foli ndër të tjera edhe për qasjen e partive politike ndaj SPAK. Rama tha se PS është e vetmja parti politike, e cila nuk e ka quajtur SPAK-un ndonjë “organizatë terroriste” apo cilësime të ngjashme.
Ai shtoi se Partia Socialiste nuk ka bërtitur, edhe kur janë arrestuar funksionarë të lartë të saj, duke shtuar se forcat opozitare kanë quajtur të burgosurit nga drejtësia e re deri “të burgosur politikë”.
Kreu i qeverisë bëri thirrje që PS-së t’i jepet mandati më i fortë ndonjëherë pas 2013 dhe se Partia Socialiste do të dijë që këtë votëbesim ta kthejë në punë dhe integrim të vendit.
Edi Rama: Ne jemi garancia e reformës në drejtësi. Të tjerët janë betuar se do neutralizojnë SPAK dhe do shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë. Kjo gjë bëhet vetëm nga ata forca, ku hallet e tyre me drejtësinë janë më të mëdha sesa me vendin. Shqiptarët duhet të na japin mandatin më të fortë që nga 2013. Me mandatin më të fortë të shqiptarëve, e dimë ne se çfarë bëjmë me BE, SHBA, me garanci që asgjë nuk lëviz. Me ardhjen tonë në pushtet, askush nuk shkrin dot asgjë. Garancinë e drejtësisë e jep sot vetëm PS-ja. Të tjerët thonë se janë të burgosur politik, ne nuk e themi këtë dhe ky është dallim shumë i madh. BE na duhet për këto garanci që shqiptarët nuk i kanë pasur asnjëherë në historinë e tyre. Nuk e imagjinoj sesi mund të kthehen, ata që shkatërruan vendin.
(Balkanweb)