SHBA- Një polic i New York-ut që u kishte ndihmuar disa personave t’i grabisnin pronarët e një restauranti për ‘mbrojtje’ është shpallur fajtor nga gjykata federale e Brooklyn-it nën akuzën për zhvatje, dhe tani rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

Ish-polici shqiptar, Besnik Llakatura, 36-vjeçar, ishte arrestuar në vitin 2013 bashkë me Redinel Dervishaj dhe Denis Nikolla. Atij do ti shqiptohet dënimi në muajin shkurt të vitit 2016.

Dervishaj dhe Nikolla e kishin kërcënuar një viktimë se nëse ai nuk do të t’u jepte 4,000 dollarë në muaj, këta do ta largonin nga biznesi, raporton lajmi.net.

Ndërsa Llakatura, e kishte luajtur rolin e mikut të merakosur dhe atë të policit, e pastaj e kishte këshilluar viktimën që të ia paguante paratë sepse do të ishte më i sigurt, si dhe e kishte sugjeruar të mos shkonte tek policia. Llakatura e kishte paralajmëruar viktimën se Dervishaj dhe bashkëpunëtorët e tij do ta lëndonin fizikisht atë nëse ai nuk do të paguante.

“Përgjatë tërë kësaj ngjarje, Llakatura e kishte luajtur rolin e mikut me pronarin e restaurantit, ndërkohë që në mënyrë të fshehtë punonte me Dervishaj dhe Nikolla”, kishin deklaruar gjykatësit.

Por, viktima dikur ishte lodhur nga ajo jetë e kërcënuar dhe kishte vendosur të shkoi në polici. Gjykatësit kanë deklaruar se viktima kishte paguar më shumë se 24,000 dollarë për më shumë se 5 muaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb