ITALI – Arratia e një shqiptari të dënuar për vjedhje në Itali nuk ka zgjatur shumë. Edhe pse në arrest shtëpiak, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, theu rregullat duke dalë nga shtëpia. Por sikur kjo t’i mos mjaftonte, ai vodhi një makinë tip Mercedes Benz në Arezzo, zonën ku banonte, dhe gjatë arratisë së tij vendosi të merrte një sy gjumë në korsinë e emergjencës së autostradës në Pistoia.

Por agjentët e patrullës policore, të alarmuar nga makina që ishte ndalur rrezikshëm prej disa orësh në korsinë e emergjencës shkuan të kontrollonin. Në fillim ata menduan se brenda ndodhej dikush që kishte nevojë për ndihmë. Por u habitën plotësisht kur gjetën brenda saj dikë që flinte.

Kur e pyetën se çfarë po bënte, shqiptari u përgjigj se “po priste Johnny-n një mik të vjetër të tij që po vinte nga larg në këmbë”, por në mungesë të dokumentave, karabinierët shoqëruan shqiptarin në rajon. Atje, kuptuan se kush ishte shqiptari në të vërtetë dhe dënimin që kishte marrë, shkruan “il Tirreno”. Menjëherë policia njoftoi pronarin e Mercedesit për makinën e vjedhur, si dhe pritet të jepet dënimi i shtuar për shqiptarin.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb