Emisioni investigativ ‘Le Iene’ i Mediaset në Itali, në puntatën e transmetuar mbrëmjen e djeshme 10 shkurt i është rikthyer historisë së vrasjes së shqiptarit 22 vjeçar, Gjergj Gjoni, më 20 tetor 2015. Ai u qëllua për vdekje nga italiani Francesko Sicignano, ndërsa po tentonte të grabiste banesën e këtij të fundit.

Ngjarja ka ndodhur në komunën Vaprio D’Adda në provincën e Milanos, ndërsa dy vite më parë, në dhjetor të 2017 Gjykata e Milanos shpalli të pafajshëm 65-vjeçarin italian, me pretendimin se gjithçka ishte një mbrojtje legjitime kundër një grabitësi. Por pas këtij lajmi, rreth dy javë më parë pas një investigimi të “Le Iene” familaj e shqiptarit kërcënoi italianin me Kanun.

Lajmi bëri bujë në mediat italiane ndërsa mbrëmë gazetari Luigi Pelazza i ka kërkuar ndihmë pajtuesit të gjakut Nikolla Shumani, për të bindur prindërit e shqiptarit të falin gjakun e të birit, por tentativa ka rezultuar e pasuksesshme.

Prindërit e Gjergj Gjonit pranuan të ulen në bisedime me italianin që i vrau djalin e të bien dakord për një shumë të caktuar parash, gjithmonë nëse pranojnë faljen e gjakut. Por ka qënë italiani Francesko Sicignano i cili e ka cilësuar absurde një kërkesë të tillë.

“Unë jetoj në një vend të lirë, nuk paguaj asnjë lek”,- ka thënë ai, pas një bisede telefonike me gazetarin.

Prindërit e Gjergj Gjonit janë fyer dhe më shumë nga përgjigjja dhe babai i tij Marku shprehet se pas kësaj italiani i ka borxh jo më një por dy gjaqe.

PARALAJMËRIMI I SHQIPTARIT
“Gjej vrimë e futu, o unë vetë, o me para do të të vras”, tha babai i shqiptarit të vrarë dy javë më parë, i intervistuar nga gazetari Luigi Pelazza.

Ai sqaroi se ishte i gatshëm të merrte gjakun e djalit, duke respektuar kështu Kanunin. “Tek ne respektohet Kanuni i Lekë Dukagjinit, unë do marr gjakun e djalit. Do vras atë që më vrau Gjergjin ose më mirë do i vras djalin, kështu që dhe ai të vuajë si unë”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb