Unaza e martesës e një inxhinieri të aeronautikës, i humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri për 70 vjet, do të mund të kthehet së shpejti në familjen e tij në Angli.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë po përpiqet t’ia rikthejë atë familjes së inxhinierit aeronautik me gradën rreshter, John Thompson, i cili ishte shpallur “i humbur në aksion” në fund të luftës. Lajmin e ka publikuar një media angleze, e cila citon edhe të afërm të pilotit.

Motra e tij tani 92-vjeçare, Dorothy Webster (në foto) tha “Do të na pëlqentë që unaza të kthehej këtu dhe gjëja më e mirë është se tani ne e dimë fundin e tij, gjë që kurrë nuk mendonim se do ta mësonim.”

Rreshteri Thompson ishte vetëm 23 vjeç kur punonte si inxhinier avionësh mbi një RAF Halifax Ml11 të skuadriljes 148. Mendohet se ai ka rënë në Ballkan në 29 tetor 1944 gjatë një misioni.

Dekada më vonë, kur aeroplani i përplasur u zbulua në malet shqiptare, u gjend dhe një unazë martese me emrat “John dhe Joyce” gdhendur në të.

Ambasada Amerikane në Tiranë, gjatë hulumtimeve për rreshterin Thompson, zbuloi se kishte qenë me të vërtetë i martuar me një grua të quajtur Joyce në Londër. Pas një njoftimi në Matlock Mercury, u shfaqën shumë anëtarë të familjes së pilotit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe tha: “Ne mund të konfirmojmë se një shtetas shqiptar po kërkon të kthejë unazë martese, të cilën e posedon, e cila i përket anëtari të aviacionit britanik, që u vra pas një përplasjeje në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi duke kërkuar, me bashkëpunëtorët tanë, të gjejmë të afërmin më të përshtatshëm, të cilit kjo unazë duhet t’i kthehet.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: