ZVICER – Një shqiptar është shndërruar në heroin e ditës në Zvicër, pasi ka shpëtuar nga vdekja pilotin e një aeroplani të vogël, që mori flakë pasi u rrëzua në komunën Muhen të kantonit Aargau.

Sipas portalit “20minuten”, aeroplani është rrëzuar, duke u përplasur me një makinë në rrugë. Shqiptari Zeqir Rexhaj nga qyteti Wohlen, e tërhoqi pilotin nga avioni që po digjej.
Shqiptari ka rrëfyer se ishte duke u kthyer nga puna, kur ndodhi tragjedia.
“Befas në anën e djathtë pashë një avion duke fluturuar shumë ulët. M’u duk e çuditshme, sepse aty afër nuk ka pistë. Gjatë rrëzimit avioni u përplas me një veturë, duke e rrokullisur atë. E ndala menjëherë veturën dhe vrapova te vendi i aksidentit. Pasi pashë që avioni po digjej dhe gruaja në veturë nuk ishte drejtpërdrejtë në rrezik, vendosa të ndihmoj pilotin”- deklaroi Rexhaj.

Sipas tij, piloti nuk kishte më forcë të dilte nga avioni dhe flakët kishin përfshirë edhe trupin e tij. “Unë thjesht reagova dhe e kapa për koke duke e tërhequr nga avioni”, – tha Rexhaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: