Telefonat inteligjentë janë të pajisur me një sërë sensorësh që kryejnë funksione të ndryshme. Për shembull, ata janë të pajisur me GPS, që na ndihmon të lokalizojmë pajisjet.

Studiuesi Venet Osmani, me prejardhje nga Shqipëria, që jeton në Trento të Italisë, ka zbuluar se sensorët e telefonit inteligjent mund të diagnostikojnë kur një person ka probleme mendore.

Sipas tij, kombinimi i sensorëve të telefonit inteligjent mund të zbulojë kur një person po vuan nga një gjendje depresioni. Dr. Osmani mori në shqyrtim 12 persona që vuanin nga çrregullime mendore, duke i pajisur ata me një telefon inteligjent për katër muaj. Ai i kontrolloi ata çdo tre javë për të parë gjendjen e tyre. Nga të dhënat e mbledhura për më shumë se 1000 ditë, shkencëtari me prejardhje shqiptare arriti në përfundimin se të dhënat nga aktiviteti dhe vendndodhja e telefonave inteligjentë mund të përcaktojnë me një saktësi prej 95% kur ka ndryshime humori tek përdoruesit. Po të monitorohen edhe frekuencat dhe kohëzgjatja e thirrjeve telefonike, atëherë saktësia rritet me 97%.

Studimi i tij, i publikuar tek disa gazeta të huaja prestigjioze, tregon se njerëzit që shfaqin simptoma depresioni përdorin telefonat e tyre më shumë se ata që nuk janë të prekur nga kjo sëmundje.

Sensorët e telefonave inteligjentë, si GPS apo akselerometri i shpejtësisë, mund të përcaktojnë nëse përdoruesi po kalon një gjendje depresioni duke u bazuar tek vendndodhja e telefonit, nëse ka qëndruar në të njëjtin vend për një kohë të gjatë apo ka lëvizur.

Të dhënat nga GPS mund të zbulojnë shumë informacione rreth atyre që shfaqin shenja depresioni. Për shembull, njerëzit që shpenzojnë më shumë kohë në shtëpi janë më të prekur nga depresioni. Njerëzit e stresuar nuk parapëlqejnë të dalin jashtë shtëpisë apo të vizitojnë vende të ndryshme.

Kështu telefonat inteligjentë mund të diagnostikojnë në kohë reale shenjat e para të depresionit tek një person, në mënyrë që të bëhet ndërhyrja e menjëhershme e doktorit. Ata mund të jetë më efektivë se plotësimi i pyetësorëve të ndryshëm nga pacientët për të përcaktuar nëse vuajnë nga depresioni.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb