Ka kohë që është shpërngulur për një jetë në kontinentin e largët, por asnjëherë nuk është larguar nga origjina. Quhet Elita Demiri me prejardhje nga Maqedonia. Për disa vite shqiptarja bukuroshe ka jetuar në Gjermani. Tashmë ajo është vendosur në Australi dhe kryesisht merret me modë nga viti 2010. Menaxhere e kompanisë ‘Reverse’, modele e Samer Khouzamit, pjesëmarrëse në shumë javë të modës atje si dhe kandidate potenciale për të përfaqësuar Australinë në “Miss World 2016”. Mirëpo ajo që e veçon nga koleget, është përkushtimi i saj në një fushë krejt tjetër, atë të bamirësisë. Për të mësuar më shumë rreth Elle-s, lexoni intervistën e saj.

Elita ku ke lindur e je rritur?
Na e prezanto pak veten… Kam lindur në Gostivar të Maqedonisë, më pas me familjen kemi shkuar të jetojmë në Gjermani. Atje qëndruam për disa vite sepse vëllai mori pjesë në një skuadër futbolli gjerman. Unë jam filantrope, kam pasion arkeologjinë, astronominë dhe fotografinë. Më pëlqejnë librat, teleskopët e veçanërisht bibliotekat dhe vendet antike.
Dimë që momentalisht ke ndryshuar kontinent e jeton në Australi. Pse kjo zgjedhje?
Po, është e vërtetë. Tani jetoj në Melburn. Në fakt kjo nuk ishte zgjedhje e imja, por një vendim që morën prindërit e mi.
A ishte kjo e vlefshme për punën tënde? Mendon se modelingu në Australi është në nivel më të lartë profesional?
Të them të drejtën kur jetoja në Gjermani nuk kisha në plan të filloja punë sepse gjatë gjithë kohës i përkushtohesha studimeve e sidomos provimeve të fundit për mjekësi. Sigurisht që Australia ka një nivel shumë të lartë profesional, dhe atje gjithçka bën është pjesë e të qenit profesionist. Kjo më ka orientuar më së miri në punën time deri më tani. Ku ndryshon moda në Australi nga ajo në Europë? Moda në perceptimin tim është art pa dallime dhe çdo art ka modë. Nuk di të them ndryshimin nga një vend në një tjetër, arti është art kudo.
Elita sot je në kulmin e karrierës tënde, por mos harro se ky profesion është me afat skadence? Ku e sheh veten pas 10 vitesh?
Qëllimet dhe dëshirat janë shumë të mëdha… Deri atëherë uroj të kem shëndet dhe pozitivitet. Mendoj se asgjë nuk është e pamundur në këtë botë.
A mundet një vajzë të jetë edhe modele edhe fotomodele? T’i cilën bën më mirë nga këto të dyja? Modelimi është një drejtim me shumë degë. Kurse fotomodelimi bën pjesë vetëm në fotografi. Të dyja profilet janë të preferuarat e mia.
Ku po punon konkretisht dhe me kë?
Kohët e fundit jam modele e Samer Khouzamit dhe me padurim pres të kthehet në muajin nëntor Peter Coulson, i cili është një ndër miqtë e mi më të afërt dhe një ndër fotografët më të mirë në Hollywood e në botë. Po ashtu përfaqësoj ‘Reverse dhe Nude by Natyre’, reklamë kjo që më ka dhënë shumë famë në të gjithë Australinë. Je përshtatur mirë me vendin duke fituar poste të rëndësishme pune.
Të diskriminojnë se je shqiptare?
Po, është e vërtetë. Kam pasur fatin të punoj në kompani të rëndësishme të cilat më kanë dhënë vendin që më takon. Nuk kam pasur asnjëherë probleme racizmi. Kurrë nuk jam ndjerë e diskriminuar pasi atje nuk më sheh askush si shqiptare. Falë Zotit jetoj në një vend shumë të zhvilluar e mendjehapur. Cilat janë projektet e tua më të afërta?
Këto javë që vijnë kam prova dhe ‘casting’ për evente të modës që do mbahen së shpejti në Melburn. Bëhet fjalë për angazhimin në katalogë për veshje dhe makeup si dhe flokë. Sakaq po përgatitem për Samer Khouzami Show dhe sigurisht për atë më të rëndësishmen, pjesëmarrjen time në “Miss World Australia 2016”.
Përveç pasarelave dhe objektivit të aparatit, në cilën fushë përkushtohet tjetër Elita?
Tek unë gjithçka lidhet me modën, jam menaxhere e kompanisë ‘Reverse’, e cila vitet e fundit ka pasur shumë sukses. Jashtë punës merrem me fitness, meditim dhe not. Kam dhe një tjetër angazhim që për mua është shumë i vyer dhe e kam përzemër. Unë punoj në Kryqin e Kuq prej vitit 2008-të, dhe kam marrë pjesë në fushatat e ndihmës si “Salvation Army” për njerëzit në nevojë në përpjekje për t’i ndryshuar jetën, “Smith family” në ndihmë të fëmijëve australianë me probleme, dhe e fundit “Cambodian Child & Hope”, kryesisht e përqendruar në edukimin arsimor të fëmijëve të Kamboxhias ku vitin e ardhshëm mendoj të shkoj dhe të jap mësim në gjuhën angleze.
Mendon se ikonat e bukurisë duhet të kontribuojnë më shumë për bamirësi?
Kjo e karakterizon një femër të bukur, kapitalizmi është një virus që kaplon çdo shekull pa marrë parasysh në cilën kohë jetojmë. Duhet të jetë obligim të kujdesesh për ata që kanë nevojë, sidomos jetimët.
Ke në plan të vazhdosh të jetosh në kontinentin e largët apo beson se një ditë do të rikthehesh në Europë? Oh! Nuk besoj se Melburnin mund ta zëvendësoj me ndonjë vend tjetër. Sa i përket Europës, atje do të jem në vitin 2016-të për punë dhe do të vizitoj edhe familjen time.
Si ndihet Elita mes australianeve?
Si në shtëpi, nuk ka dallim mes meje dhe vendasve.

(ma.ar/Summer Pages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: