TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratik Gazment Bardhi i ka kthyer përgjigje sekretarit të përgjithshëm të PS-së Taulant Balla, i cili një ditë më parë i kërkoi të jepnin gjysmën e pagës në situatën e krijuar për shkak të koronavirusit. Në një lidhje ‘live’ për News24, Bardhi tha se strukturat e PD-së po ndihmojnë me sa mundem por se nuk bëjnë propagandë.

Ai i kërkoi Ballës dhe kolegëve të tij të mos japin gjysmën e pagës, pasi sipas tij është një vlerë qesharake por t’u japin shqiptarëve taksën e korrupsionit të këtyre 7 viteve.

“Nuk dua të bëj batuta bajate me përfaqësuesit e një partie që ka braktisur dhe ka rrënuar vendin prej 7 vitesh por kam sigurisht një mesazh. Përfaqësuesit e PD-së janë çdo ditë në kontakt me qytetarët duke ndihmuar çdo ditë qytetarët në nevojë. Po ndryshe nga Balla, Xhaçka me shofer, që marrin nga 3 kameramanë ne kemi vendosur të mos bëjmë as foto, as video e as propagandë me qytetarët në nevojë. Ne nuk duam të përfitojmë nga mjerimi i pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Kjo është ta përdorësh për politikë. Ne e neverisim këtë lloj ndihme dhe kemi qenë pranë qytetarëve shqiptarë. Taulant Balla dhe shokët e tij në parti e dinë shumë mirë se strukturat tona po ndihmojnë sa munden familjet në nevojë por ne nuk bëjmë foto. Propagandën dhe show-n ia kemi lënë asaj partie që gjithmonë i ka përdorur qytetarët për propagandën e tyre. Do ndihmojmë pa bërë show e propagandë. Kam një kërkesë për Taulant Ballën dhe shokët e tij, nuk kanë nevojë të japin gjysmën e pagës sepse ajo është një vlerë qesharake, do duhet t‘u japin shqiptarëve taksën e korrupsionit që kanë marrë këto 7 vite. Të kthejë taksën e korrupsionit, të anulojë koncesionet dhe t’iu vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Ato pako që ndajnë Balla, Xhaçka e me radhë janë lekët tona, që vijnë nga buxheti i shtetit apo nga bizneset. Ne nuk pozojmë me një shishe qumësht, një pako oriz dhe një makarona”, deklaroi Bardhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb