Presidenti Ilir Meta ka uruar Papa Françeskun me rastin e 7- vjetorit të tij në detyrën e misionit të tij hyjnor Papnor.

Meta shkruan në FB se shqiptarët i kanë ende të freskëta mbresat nga vizita e Papa Françeskut ll në Shqipëri dhe i shpreh mirënjohje për mbështetjen që Shenjtëria e tij dhe Kisha Katolike i ka dhënë popullit shqiptar.

Papa Françesku ll u betua më 13 mars të 2013 kurse një vit më vonë në 21 shtator 2014 vizitoi Shqipërinë.

STATUSI I ILIR METËS

Shenjtëria Juaj,

Papa Françesku II,

Me rastin e 7-vjetorit Tuaj Papnor, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta, si dhe t’Ju uroj sukses të plotë në përmbushje të misionit tuaj hyjnor.

Përfitoj nga rasti që, në këto ditë të veçanta, për mbarë botën dhe në veçanti për Italinë, Shqipërinë dhe shumë vende të tjera, të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që, Shenjtëria Juaj dhe Kisha Katolike në Shqipëri, i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike.

Shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, i ruajnë ende të freskëta mbresat nga vizita juaj në Shqipëri, si dhe i kujtojnë me dashuri mesazhet tuaja inkurajuese për rritjen e shpresës dhe të besimit.

Në këto kohë, fatkeqësisht njerëzimi po përjeton zhvillime të shumta dramatike, por atij asnjëherë nuk i kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse të Shenjtërisë tuaj, për më shumë dashuri, bashkëpunim, mirënjohje, solidaritet e dhembshuri, si dhe për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri.

Me dëshirën për t’i forcuar e pasuruar më tej lidhjet institucionale e shpirtërore, mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Zoti ju dhëntë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për të mirën e njerëzimit.



(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb