Përveç stresit prej shtimit në peshë, fakti që asnjë rrobë që keni në dollap nuk ju bën më e bën situatën edhe më “dramatike”. Dhe askush nuk do të donte të dukej “e lëshuar” dhe e shëmtuar gjatë njërës prej periudhave më të bukura të jetës. Stilistët këshillojnë si të dukeni të hijshme, edhe pse keni shtuar në peshë dhe barku i madh nuk mund të fshihet më… Kur vjen fjala te veshjet gjatë shtatzënisë, çelësi është te rehatia dhe stili.

Por ajo çfarë mund të duket se është mirë në javën e nëntë, nuk mund të jetë kështu në javën e 14­të e me radhë. Edhe veshjet që ju vinin për shtat dhe ju bënin të ndiheshit mirë gjatë tremestrit të dytë, nuk janë më të përshtatshme për muajt e fundit të shtatzënisë. Një këshilluese e modës për gratë shtatzëna, gjithashtu nënë e dy fëmijëve, Amy Tara Koch (autore e “Bump it up”), si dhe stilistja Alison Deyette japin disa këshilla se si gratë shtatzëna mund të vishen.

Tremujori i parë
Mbajeni shtatzëninë tuaj nën veshje. Shumë njerëz nuk duan të përhapin “sekretin” e tyre të paktën deri në trisemestrin e dytë. Ç’të bëni: Hiqni mënjanë nga dollapi juaj veshjet që janë shumë të ngushta apo të ngjitura pas trupit. Vishni rroba që janë të gjera te beli, legeni dhe pjesa e gjoksit, të cilat mund të fshehin ato pak kilogramë që mund të keni marrë gjatë muajve të parë të shtatzënisë. Vishni bluza të buta, funde linoje, këmisha të gjera dhe fustane të lirshme etj. Mund të vishni bluza të gjera me streçe. Bluzat e gjata janë një zgjedhje shumë e mirë, që përshtaten në pjesë e shpatullave dhe krahëve dhe rrëshqasin pa theksuar pjesën e belit, duke fshehur peshën e shtuar.

Tremujori i dytë
Do t’ju duket sikur brenda pak javëve keni një masë të re dhe nuk do të donit të harxhonit para për veshje të reja çdo muaj. Ajo çfarë duhet të bëni është të investoni në pak gjëra që “do të rriten” me ju. Shikoni për veshje që kanë detaje të tilla, si lidhëse, butona apo pjesë të mbledhura, që mbështillen etj., të cilat do t’ju lejojnë të përshtatni rrobat tuaja ndërsa trupi rritet dhe ndryshon. Edhe gjoksi juaj po ashtu është rritur mjaft. Tani është koha të investoni në reçipeta të reja. Mund të zgjidhni masa më të mëdha të reçipetave tuaja të preferuara ose mund të merrni reçipeta të dizenjuara për periudhën e shtatzënisë apo të ushqyerjes me gji. Keni parasysh se gjoksi juaj do të vazhdojë të rritet.

Tremujori i tretë
Ndjeheni vërtet “e stërmadhe” dhe e parehatshme? Butonat, zinxhirët dhe rripat e mesit janë jashtëzakonisht torturues. Përpiquni të provoni një fustan të madh stil perandorak, i gjatë deri në kyçe që mund ta vishni edhe pasi bebi të vijë në jetë. Është edhe shumë i rehatshëm: mjafton që ta hidhni në trup. Sipër fustanit mund të vishni një bluzë të gjatë. Do të ndjeheni rehat dhe me stil. Nëse keni përqafuar një pamje njëngjyrëshe (e zezë, gri etj.) për shkak se doni të dukeni më elegante, por gjithsesi dëshironi më tepër ngjyra, duhet të keni parasysh disa gjëra, shkruan t.sot.

Shtoni aksesorë në veshjen tuaj, që të jenë më të dukshëm ndërsa beli juaj rritet. Mund të shtoni një palë vathë të mëdhenj që bien në sy apo një shall që është tërë ngjyra. Mund të luani edhe me çantat, ngjyrat dhe materialet e tyre. Mund të jeni mërzitur me veshjet tuaja, por ndërkohë nuk doni të blini të tjera. Atëherë shikoni për diçka që mund ta përdorni edhe më vonë. Këpucët? Duhet të jenë të rehatshme, këpucë balerina të sheshta ose me takë njëshe, jo të larta, pa lidhëse apo tokëza që të mos përkuleni kur i vishni. Gjeni këpucë me dizenjo dhe ngjyra që të bien në sy dhe pasurojnë veshjen. Zgjidhini që të kenë pak majë në krye dhe jo tërësisht të rrumbullakëta, që këmbët tuaja të mos duken të shkurtra.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: