Këto ditë festash e kanë gjetur 94-vjeçaren dhe familjen e saj në fshatin Spathar të Librazhdit me gëzimin e një shtëpie të re, të ndërtuar nga e para me kushte dinjitoze të banimit.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan është angazhuar personalisht për ndërtimin e shtëpisë së shkatërruar të familjes së nënë Bejazes dhe ka qenë mysafiri i parë i saj bashkë me kryetarin e bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra.

Balla falënderoi të gjithë banorët e Spatharit, të cilët kanë qenë shumë kërkues për familjet në nevojë. “Dua të falënderoj gjithë banorët e Spatharit, të gjithë, pa përjashtim, të cilët kanë qenë shumë kërkues dhe gjithmonë edhe Kastriotit dhe mua na kanë thënë shiko aman vini dorën në zemër dhe bëni diçka për këtë familje. Kur ishim këtu para pak javësh i thamë nënës që vitin e ri do vijmë ta bëjmë tek ti, me kush që do na gatuash nga një pjatë grosh”, tha Balla.

Ndërsa kryetari i bashkisë Librazhd, Gurra tha se çdo Vit të Ri jemi përpjekur të gëzojmë familje në hall, në kushte të rënda, si kjo familje.
“E vërteta është se ka një lloj sensibilizimi dhe dita-ditës po vëmë re se ka një solidaritet shumë të madh të njerëzve me njëri-tjetrin dhe kjo është një vlerë shumë e madhe. Njerëz që tregohen të gatshëm të kontribuojnë atje ku situata është shumë e rëndë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: