Fillimi i kësaj jave në Gjermani pati shumë jehonë politike, publike dhe mediatike, me praninë në Berlin të Mbretit të Danimarkës, Frederik X dhe Mbretëreshës Mary, Princeshës Trashëgimtare të Suedisë, Victoria me Princin Daniel, Princit Trashëgimtar të Norvegjisë Haakon me Princeshën Mette-Marit, Presidentit të Finlandës, Aleksander Stubb dhe Presidentes së Islandës, Halla Tómasdóttir.
“Sebepi“ ishte krejt i veçantë: më 21 Tetor u festua me një ceremoni mbresëlënëse 25 Vjetori i inaugurimit të kompleksit të përbashkët të pesë ambasadave të vendeve nordike, shoqëruar me koncerte, ekspozita, promovime libri, etj.
Ky kompleks madhështor me shumë vlera arkitekturore dhe historike është kthyer në një prej shenjave dalluese të Berlinit në zonën e mirënjohur plot gjelbërim “Tiergarten“. Duke qenë i pranishëm dhe vetë atje si diplomat në Berlin në vitet 2001 – 2006, duket qartë se ai është kopje në miniaturë e Gadishullit Skandinav, ku secila ambasadë me selinë e vet ekspozon atraksionet e saj turistike, historike dhe kulturore. Ajo është konceptuar nga arkitektë të famshëm sipas logos së formuluar 25 vite më parë nga Mbretëresha e atëhershme e Danimarkës, Margarethe “secili më vehte por të gjithë bashkë“!
Pikërisht në vitin1999, qeveria, institucionet federale dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike filluan zhvendosjen nga Boni në Berlinin e ribashkuar.
Mirëpo, ndryshe nga vendet e tjera, politika dhe diplomacitë e pesë vendeve nordike muarën një vendim unikal në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare: ato ranë dakord dhe u vendosën në të njëjtën kmpleks diplomatik në Berlin. Kjo nuk u bë për arsye financiare, por kryesisht si simbol dhe mesazh kuptimplotë mirëkuptimi, besimi, bashkëjetese dhe orientimi të përbashkët politik, diplomatik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor ndërmjet tyre, duke filluar nga nivelet më të larta shtetërore, të shoqëruar me konsensus të plotë politik dhe publik.
Natyrisht që ideja për këtë “shtëpi“ diplomatike pannordike nuk erdhi ashtu, vetvetiu dhe as u “ ndërtua brenda natës“. Ajo ishte rrjedhojë e demarsheve dhe përpjekjeve të tyre të shumta dhe të gjata në procesin e forcimit dhe zgjerimit të Europës, begatisë dhe sigurisë së saj dhe më gjerë.
Vendet nordike shquhen në botë për traditat e lashta dhe kulturën e veçantë, standardet tejet të larta të demokracisë, shtetit të së drejtës, zhvillimit social-ekonomik, solidaritetit me vendet në nevojë, marrëdhëniet mes tyre dhe mbas përfundimit të Luftës së II Botërore, “duke hedhur dhe shpërndarë kudo farën“ e frymës së pajtimit, miqësisë dhe bashkëpunimit dy e shumëpalësh.
Tashmë ato kanë miratuar dhe vizionin e përbashkët që deri në vitin 2030 të bëhen rajoni më i integruar dhe me zhvillimin më të qëndrueshëm në të gjithë planetin.
Nën shembullin e BENELUX-it, të krijuar në vitin 1944 nga Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, të pesë këto vende nordike në vitin 1952 krijuan Këshillin Ndërparlamentar Nordik. Ky i fundit si “binjak“ me Beneluksin, me të njëjtat objektiva themelore dhe struktura drejtuese, duke nxitur dhe lehtësuar përparimin e tyre në të gjitha fushat e jetës politike, legjislative, ekonomike, diplomatike, etj.
Kësisoj, dhe vendosja novatore e ambasadave të tyre “nën të njëjtën çati“ më 21 Tetor 1999 erdhi natyrshëm dhe u festua në nivelin më të lartë dhe prestigjioz.
Në ceremoninë e atëhershme, në rreshtin e parë të të ftuarve të lartë ishin Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë dhe Mbretëreshë Silvia, Mbreti Harald i Norvegjisë dhe Mbretëresha Sonja, Mbretëresha e Danimarkës Margarethe II me Princin Trashëgimtar Henrik, Presidenti i ndjerë finlandez Martti Ahtisaari me bashkëshorten, Presidenti islandez Ólafur Ragnar Grimsson dhe i Ftuari i Nderit, Presidenti i ndjerë gjerman, Johannes Rau me bashkëshorten, Christina.
Plot 25 vite më vonë, në Berlin, te selia simbol e mirënjohur përsëritet e njëjta histori dhe skenografi, por tashmë me jehonën dhe përvojën e suksesshme 25 vjeçare duke jetuar dhe punuar “nën të njëjtën çati“ diplomatike, me praninë e personaliteteve të tyre më të larta të reja, se koha bën të vetën.
Fjalët përshëndetëse të drejtuesve më të lartë të këtyre vendeve ishin tejet vlerësuese dhe emocionuese. Presidenti finlandez Alexander Stubb tha se “ ai nuk kishte qenë asnjëherë më parë më nordik se atë ditë“. Ai e konsideroi godinën e përbashkët si një « vend fenomenal të unitetit dhe bashkësisë“ duke nënvizuar dhe krenarinë për anëtarësimin tani së fundi të Finlandës në NATO. Po ashtu, Princesha Victoria nënvizoi vlerat e përbashkëta dhe rëndësinë jetike të bashkimit të Suedisë me NATO-n. Nga ana e saj, Presidentja islandeze Halla Tómasdóttir nënvizoi „rëndësinë e madhe të faktit që në kohëra të tilla kritike kemi miq dhe partnerë të besueshëm si Gjermania“.
Me shumë interes u dëgjua përshëndetja e “Të Ftuarit të Nderit“ Presidentit Federal gjerman, Walter – Frank Steinmeier. Ai përmendi faktin se diplomatët e të pesë ambasadave në « konakun » e përbashkët nuk shijonin vetëm “fika“, ose pushimin e kafes, siç quhet ne suedisht. “Ata ishin bashkë dhe në hapësirën bashkëpunuese, madje shumë më parë se të shpikej ky koncept ( co-working)“ Po ashtu, mikpritësi i lartë rikujtoi „restaurantin e përbashkët nordik aty, sipas tij më i miri në Berlin dhe i hapur për publikun.
Steinmeier vijoi duke thënë se “Gjermania i mirëpret dhe përshëndet me krenari këto mënyra krijuese dhe të hapura pune, mbasi janë modele që tregojnë si duhet të jetë ky bashkëpunim dhe në një plan më të gjerë europian »
Më tej, ai theksoi se vendet nordike janë jashtëzakonisht të lidhura me Gjermaninë në aspektin politik, ekonomik, kulturor, në kuadrin e BE-së dhe NATO-s“.
Ndërkohë, siç e pohoi bukur Joe Chialo në përshëndetjen e vet Senatori i Berlinit për Kulturën dhe ish menazher muzike, vendet nordike vlerësohen dhe për muzikën e tyre, mbi të gjitha ABBA. Ndaj, muzika nuk kishte si të mungonte në këtë jubile domethënës. Berlini kishte përgatitur dhuratën e vet të rastit për këtë jubile pannordik: një shfaqje e bandës muzikore « Moka Efti Orchestra », e cila luajti kolonën zanore të serisë së suksesshme të filmit televiziv gjerman « Babylon Berlin ( Zu Asche, zu Staub – në pluhur dhe hi) që entusiazmoi mbi 400 të ftuarit nga politika, ekonomia dhe kultura, të cilët shpërthyen në duartrokitje të shumta. Kjo shfaqje u dha te oborri i brendshëm, pikërisht te “Das Felleshus“, qendra kulturore dhe e eventeve të ndryshme; dhe kjo fjalë që në norvegjisht/danisht përkthehet « Së bashku“ i shkon për shtat “shtëpisë“ së përbashkët të diplomacisë Nordike në Berlinin tashmë pa mure. Ndaj dhe gjithë kompleksi quhet “Felleshus“
Ky jubile domethënës diplomatik përbën një shembull të mirë dhe për vendet e tjera, sidomos ato fqinje, me lidhje historike, me afërsi qëndrimesh dhe synimesh brenda dhe jashtë BE-së. Ca më tepër për Ballkanin Perendimor. Mirëpo, nisur nga përvoja dhe traditat negative dhe të 30 viteve të fundit në sisteme demokratike, një dukuri e tillë për një të ardhme të parashikueshme është utopi. Vërtet që liderët e tij dhe diplomatët e lartë mblidhen në forume dhe samite të shumta rajonale dhe europiane, por dhe atje ndodh që nuk i japin as dorën njeri tjetrit. Pastaj, krejt ndryshe nga vendet nordike, klima, mjedisi, terreni politik dhe kulturor ndërmjet vendeve të rajonit tonë, pavarësisht nga 20 nisma rajonale dhe demarshet Euro-Atlantike vazhdon të jetë i helmuar. Ka përparime por të vogla dhe tejet të ngadalshme, me kriza, konflikte dhe sipas parimit “një hap para, dy hapa mbrapa“.
Kjo dhe faktorë të tjerë nuk kanë bërë të mundur që megjithë dëshirën e mirë, të krijohej dhe në rajonin tonë një forum i ngjashëm si Benelux dhe Këshilli Nordik apo dhe të kishim një seli të përbashkët diplomatike; veç kësaj, jemi larg nivelit, traditave, mentalitetit dhe marrëdhënieve nordike nga poshtë e deri lart në majë.
Sa për nismën “Ballkani i Hapur“ edhe pse i referohej atyre, ai nuk kishte të bënte fare me Beneluksin apo Këshillin Nordik, as “në frymë dhe as në gërmë“. Dhe Procesi i Berlinit, ndonëse i sponsorizuar nga Gjermania me pjesëmarrjen e 10 vendeve të tjera të BE-së është larg nivelit dhe arritjeve të Këshillit Nordik, për shkak të hendeqeve të mëdha social – ekonomike, të mungesës së frymës, mentalitetit të prapambetur ende shumë larg atij europian, deficitit të ndjeshëm të vlerave demokratike, mungesës së instancave drejtuese, etj.
Megjithatë, kjo dukuri është e mundshme dhe e nevojshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, si një vijim i natyrshëm i diplomacisë së tyre. Për këtë qëllim, vite më parë të dy diplomacitë tona nënshkruan marrëveshje për bashkërendimin e demarsheve dhe veprimeve diplomatike, duke shkuar deri në çeljen e përfaqësive apo konsullatave të përbashkëta. Në fakt, kjo nismë është konkretizuar në 2 – 3 raste dhe është menduar për më tej.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për kursime të qerasë, të shpenzimeve për ngrohje, ujë, drita dhe për evente të ndryshme, të cilat natyrisht ekonomizohen ndjeshëm duke patur një godinë të përbashkët. Ne që kemi punuar nëpër ambasada jashtë vendit e kuptojmë dhe më mirë këtë aspekt jetik. Ndaj ato kanë rëndësinë e tyre të pamohueshme. Gjithsesi, siç dhe tregon përvoja nordike, efekti kryesor i qëndrimit “në të njëjtën çati“ diplomatike është imazhi pozitiv që përcjellin të dy vendet tona vëllezër për efektivitetin e veprimeve tona diplomatike.
Mirëpo kjo kërkon një klimë dhe terren shumë miqësor dhe bashkëpunues ndërmjet të dy vendeve dhe diplomacive tona. Dihet tashmë se këtu kanë ndikuar jo mirë ndasitë lidhur me Ballkanin e Hapur dhe disa veprime të pamatura të palës sonë, e cila ka vepruar pa konsultime paraprake me politikën dhe diplomacinë e Kosovës. Po ashtu marrëdhëniet ndërmjet drejtuesve më të lartë e sidomos Kryeministrave të tyre kanë qenë pothuajse përherë problematike, me gërvëre, duke u bërë dhe vetë problem në vend të zgjidhjes. Ndaj është momenti që këto të kapërcehen dhe diplomacitë e dy vendeve tona të veprojnë kudo në unison, duke bashkërenduar çdo veprim dhe jo « njeri t’i bjerë gozhdës, ndërsa tjetri patkoit»
Ja pse, modeli dhe momenti i spikatur nordik 25 Vjeçar i vendosjes së pesë përfaqësive diplomatike nordike në një kompleks të përbashkët, një festë që do të vijojë me dhjetra veprimtari të ndryshme tematike dhe kulturore deri në Janar 2025 është moment reflektimi dhe për dy vendet tona, që të ndërmarrin hapat e duhura për ta përsëritur pse jo dhe ne, këtë praktikë dhe përvojë tejet të dobishme.