Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

O’Brien paralajmëroi se edhe të premten, më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë bisedimet.

“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, së bashku me delegacionet respektive, u takuan sot në Uashington, për të biseduar, siç u tha, temat e bashkëpunimit ekonomik.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas takimit, kryeministri Hoti tha se të premten pritet finalizimi i marrëveshjes për çështje ekonomike, duke shtuar se në çdo takim me Serbinë, Kosova ka për qëllim njohjen reciproke.

Por, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se njohja e Kosovës nuk është më temë.
Nikoqirë të takimit të 3 shtatorit në Uashington ishte këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb