Sipas të dhënave të mbledhura nga agjencitë amerikane të zbulimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë të premten, Irani po i siguron Rusisë materiale për të ndërtuar një fabrikë të prodhimit të dronëve në lindje të Moskës, ndërsa Kremlini kërkon të sigurojë një furnizim të vazhdueshëm të armatimit për agresionin e tij ndaj Ukrainës.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se zyrtarët e zbulimit amerikan besojnë se një fabrikë në zonën e posaçme ekonomike Alabuga të Rusisë mund të vihet në funksionim në fillim të vitit të ardhshëm. Shtëpia e Bardhë publikoi gjithashtu imazhe satelitore të vendndodhjes industriale të marra në prill, disa qindra kilometra në lindje të Moskës, ku beson se uzina “ndoshta do të ndërtohet”.

Administrata e Presidentit Joe Biden deklaroi publikisht në dhjetor se besonte se Teherani dhe Moska po konsideronin ngritjen e një linje montimi të dronëve në Rusi për luftën në Ukrainë. Të dhënat e reja sugjerojnë se projekti, në rajonin Yelabuga të Tatarstanit, ka kaluar përtej fazës së konceptimit.

Irani ka thënë se i ka ofruar dronë Rusisë para fillimit të luftës.

Zoti Kirby tha se zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë përcaktuar se Irani vazhdon të furnizojë ushtrinë ruse me dronë sulmues të prodhuar në Iran. Dronët transportohen përmes Detit Kaspik, nga Amirabadi në Iran në Makhachkala të Rusisë, dhe më pas përdoren nga forcat ruse kundër Ukrainës.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, që nga maji, Rusia kishte marrë qindra dronë luftarkë, si dhe pajisje të lidhura me prodhimin e dronëve, nga Irani.

“Ky është një partneritet mbrojtës në shkallë të plotë që është i dëmshëm për Ukrainën, për fqinjët e Iranit dhe për komunitetin ndërkombëtar. Ne po vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të ekspozuar dhe penguar këto aktivitete, përfshirë ndarjen e këtij informacioni me publikun – dhe jemi të përgatitur të bëjmë më shumë”, tha Kirby./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: