Me rritjen sërish të rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi të dielën se vendi “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

“Nuk ishte një lajthitje nga zoti Meadows,” tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pranim i sinqertë i asaj që strategjia e Presidentit Trump ka qenë e qartë që nga fillimi i kësaj krize: të valëvitësh flamurin e bardhë të humbjes dhe të shpresosh që duke e injoruar atë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi, “Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që kushton mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ​ dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

SHBA kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej 225,000 vdekjesh dhe 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Më shqetësuese është rritja e shpejtë e numrit të rasteve të reja, me 32% duke arritur në më shumë se 68,000 në ditë javën e fundit dhe në 84,000 të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve qeveritarë të shëndetit për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Të shtunën vonë, zyrtarët njoftuan se Marc Short, shefi i kabinetit të Zëvendës Presidentit Mike Pence, dhe disa ndihmës të tjerë të zoti Pence janë infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb