UASHINGTON– Shtëpia e Bardhë hodhi dje poshtë njoftimet se presidenti Donald Trump ka në plan ta zëvendësojë Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, siç ishte njoftuar në media. Gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, televizioni CNN dhe organe të tjera mediash citonin zyrtarë të lartë të administratës të thonë se plani për të shkarkuar zotin Tillerson mund të fillojë të bëhet realitet që në fillim të dhjetorit ose janar. Por nuk është ende e qartë nëse presidenti ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Zërat për mosmarrëveshje mes Presidentit Trump dhe sekretarit të tij të shtetit kanë qarkulluar prej kohësh dhe kanë shkuar deri aty sa të thonë se zoti Tillerson e ka quajtur Presidentin Trump një “idiot”. Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders mohoi që zërat të ishin të vëreteta.

“Kur presidenti humb besimin tek dikush, ai person nuk do të shërbejë më në postin që ka. Presidenti ishte këtu sot me Sekretarin e Shtetit. Ata biseduan me një udhëheqës të huaj që kishte ardhur për vizitë dhe vazhdojnë të punojnë së bashku për të mbyllur një vit të jashtëzakonshëm”.

Përgjigjia e Presidentit Trump para gazetarëve ishte e shkurtër.

“Rex është këtu”, tha ai.

Përgjigjia e zotit Tillerson në një konferencë për shtyp me ministrin e jashtëm të Katarit, ishte e ngjashme. Ai tha se nuk po largohet nga detyra dhe do të shërbejë përsa kohë të mendojë Presidenti.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, kishte telefonuar duke mohuar të kishte plane për zëvendësimin e zotit Tillerson.
Sekretari i Shtetit niset javën e ardhshme në një udhëtim të rëndësishëm në Evropë me një mesazh për një mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara për aleatët përballë agresionit rus. Por qëndrimi i presidentit ndaj Rusisë ka qenë i paqartë, thotë analisti Klaus Larres.

“Komentet e Tillersonit janë të mirëpritura dhe janë në përputhje me qëndrimet tradicionale të politikës së jashtme amerikane. Pyetja është: a e ka zotit Tillerson mbështetjen e Presidentit për të realizuar atë lloj politike dhe a do të ndjehen të siguruar aleatët evropianë nga ato që do të thotë ai, nëse vetë presidenti nuk shpreh diçka të ngjashme”, tha profesori i Universitetit të Karolinës së Veriut.

Departamenti i Shtetit tha se programi i ngjeshur i zotit Tillerson për javën e ardhshme mbetet i pandryshuar dhe ai do të qëndrojë në detyrë përsa kohë që presidenti ta dojë në atë post.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: