Drejtoria e Strehimit në Tiranë është në fazën e fundit të shqyrtimit të dosjeve të qytetarëve që aplikuan për shtëpi me kredi të butë. Rreth 2500 kandidatë dorëzuan dokumentacionin e kërkuar deri në 17 gusht të këtij viti, e tashmë këto dosje janë ende nën verifikim e shqyrtim për të aplikuar më tej sistemin e pikëzimit për të shpallur fituesit. E pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tregon se lista përfundimtare e fituesve do të shpallet në muajin tetor.

“Emrat e fituesve që aplikuan në programin social “Subvencionimi i interesave të kredisë” do të miratohen gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës që do të mbahet në muajin tetor, por ende nuk kemi një datë të saktë”,-thekson Ruseti për “Gazeta Shqiptare”. Këtë vit do të jenë plot 500 persona që do të përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, pra do të përfitojnë një banesë me kredi me një normë interesi prej 3 për qind. Aplikimet për 500 kredi të buta janë hapur në 16 prill të këtij viti e si kusht kryesor për t’u shpallur fitues janë të ardhurat. Një familje e vogël me 1-2 persona duhet të ketë të ardhura mujore të deklaruara 44 mijë deri në 80 mijë lekë në muaj. Ndërsa për ato me më shumë se 5 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 88-158 mijë lekë në muaj. Bashkia subvencionon interesat e kredisë, duke bërë që qytetari të përfitojë normë të pandryshueshme interesi me 3 për qind.

Kategoritë përfituese
Ky program u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të reja, të cilat kanë një nivel të caktuar të ardhurash nga punësimi dhe dëshirojnë të blejnë një shtëpi, por e kanë të pamundur të përfitojnë një kredi me kushtet e tregut. Kështu, Bashkia e Tiranës u subvencionon interesat e kredisë. Për të përfituar nga programi i “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere, ku më kryesoret janë: Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar; individët të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç; familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë si dhe familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb