Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se Enver Sheshi, i arrestuar për inceneratorët është viktimë e mafies së inceneratorëve duke ngritur dyshime të forta për vdekjen e tij në burg.

Sipas Berishës, Sheshi kishte vendosur të fliste.

“Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit faktojnë dhe njëherë përfundimisht se ky është shtet i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar dhe njëherë errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.
Menjëherë pas komunikatës zyrtare e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarë vërshuan të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies së djegësve. Është viktimë e mafies qeveritare të djegësve. Këto informata shtonin se Enver Sheshi i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve kishte vendosur të fliste dhe pas kësaj xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme e cila ka për kokë direkt Edi Ramën gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve ta çojë në botën tjetër dëshmitarin e rrezikshëm”, tha Berisha.

Ai theksoi se afera e djegësve është afera më flagrante e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale.

“Kreu i ekzekutivit shqiptar firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim me vendimin dhe shkresën e entit kombëtar të specializuar për prokurimet të agjencisë kombëtare të Prokurimeve Publike e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve Publike e bëri këtë dy herë me radhë, por Edi Rama duket se duke e pasur ndërmarrje të vetën pavarësisht nga ky vendim që nuk mund të tejkalohej kurrë përveç se me ndryshimin e ligjit në parlament firmosi një kontratë në interes të vetin dhe të klanit të aferës së djegësit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi: “Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur deri në vesh është Erion Veliaj i cili zgjodhi që më djegësin e Tiranës të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën.
Zgjodhi që për hir të këtij pasurimi të çmendur, mbi 100 e ca mln euro për djegësin e Tiranës, për pasurimin e tij dhe të Ramës të firmoste vendime në emër të Këshillit, të firmoste vendime në emër të qarkut, të cilat qarku nuk i kishte marrë ndonjëherë. Veliaj prej 6 vitesh vjedh dhe rrjep qytetarët e Tiranës me një tarifë 28 euro tonin e mbetjeve, ndërkohë që vetë kontrata e kompanisë së tyre përcakton se kjo tarifë 28 euro do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e depozitimit dhe kompostimit do jetë 11 euro”.

Ai tha më tej se Enver Sheshi dinte shumë, veprimet i kishte kryer për garanci të madhe për mbrojtje.

“Në çdo rast vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë i detyruar me ligje kombëtare e ndërkombëtare është transparenca e plotë për të gjitha ndodhitë. Çfarë ndodhi me Enver Sheshin, bllokim totali një hetimi nga shoqëria civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit në përmbushje të detyrimeve të veta ligjore në këtë vend, i sinjalizuar në mënyrë të pavarur për dyshime të forta që ekzistojnë rrethe vdekjes së Enver Sheshit dërgoi vëzhguesit e tij në të gjitha institucionet përkatëse. Vëzhguesit e pavarur që i përshëndes gjetën, bllokim mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi ti lejonte ata të njiheshin të merrnin të dhënat më elementare. Madje as edhe të këqyrnin ku i ndjeri Enver Sheshi jetonte në burg, nuk u lejuan të takohej asnjë nga gardianët, dhe asnjë nga punonjësit…”, tha Berisha.

Kreu i PD deklaroi se Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës. “Prokuroria e Tiranës me cinizëm ekstrem njësoj sikur të ishte një shpellë mafie, përgjigjes se nuk ka çështje penale. Një njeri vdes në kushte të dyshimta dhe Prokuroria nuk gjen motiv të nisë hetimin sepse merr urdhër të mbyllë gojën. As me paditë e familjes, pra ka një konfuzitet të plotë…Nuk ka një konkluzion nga autopsia, institucionet e specializuara, i kthejnë mbrapsht vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit me pretendimit se do të duhet 30 ditë për të dhënë përgjigjen. Këto qëndrime të cilat zëvendësojnë transparencën e domosdoshme në këto rrethana me bllokim, flasin në favor të atij mendimi se Enver Shehu, kemi të bëjmë me një akt të mafies. Pra me vdekjen e Enver Shehut ka gisht mafia qeveritare djekësave, i bëj thirrje komitetit të Anti-torturës të Këshillit të Europës, institucioneve, të bëjnë gjithçka për të zbardhur vdekjen e këtij qytetari. Mafia është ajo që sundon kudo, krimi është vendim marrësi absolut i këtij vendi. Krimi ka balosët e tij në parlament të përfaqësuar nga Balla, Gjiknuri e të tjerë. Krimi ka përfaqësues Erion Veliajn. Krimi në Shqipëri vendos kudo”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb