Dullë Baxhaja, personazhi i famshëm i romanit të Ismail Kadaresë “Dosja H”, ngjiti aq shumë sepse ai bashkoi në një nofkën popullore të diktatorit Enver Hoxha me atë të spiunit, këtij personazhi kaq të shpeshtë të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Këta sy e veshë përgjues të çdo intimiteti, lëvizjeje, gjesti a fjale përthitheshin nga Baxhaja në shërbim të Dullës. E kush e kishte menduar që pas 30 vitesh liri, romani i Kadaresë dhe personazhi i tij do të aktualizoheshin kaq shumë, pikërisht në shoqërinë, e cila doli prej asaj krusme tejet mendueshëm.

Ligji special që po aplikon qeveria, ai “anti-KCK”, de jure e de fakto e shndërron Shqipërinë në shtet policor. Pas një tërheqjeje me ligjin “Antishpifje”, ku ofertë e tij ishte autocensura dhe ndëshkimi i fjalës së lirë, pa vonuar shumë, ia behu oferta tjetër më kërcënuese, ajo e përgjimit dhe shantazhit në kinse luftën ndaj krimit të organizuar. Paradoksale, rebus për logjikën, të besosh se personi, i cili personazhet e botës së krimit i bëri deputetë, kryetarë bashkish, që u shërbye prej tyre në krime elektorale, nëse u referohemi dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës, të publikuara nga “Bild”, e ka seriozisht me këtë KÇK-në. Por, ai është serioz në të tjera qëllime. Në vullnetin e tij për të sunduar nuk është demonstruar kurrë i lëkundur. Përshtypje të madhe bën heshtja e të gjithë atyre burrave e grave të strukturave të Partisë Socialiste, të cilët për një kockë heshtin dhe votojnë dorëzimin e lirive civile në duart e Policisë, e cila tanimë është vetëm politikë. Ata të gjithë bashkë në rresht pas bariut të tyre zëvendësuan parimin me dyshimin, gjykatën me drejtorin dhe drejtorët e Policisë.

Po kaq, Edi Rama, duke u vënë mbi krye ministrin e Brendshëm (i cili për hatër të shefit bëhet synet dy herë në ditë me një servilizëm të panjohur më parë në Olimpin e politikës e me po kaq fudollëk sillet si arkitekt i KÇK-së) si dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të cilin e ka emëruar vetë mbi Prokurorin e Përgjithshëm dhe SPAKun ka lëshuar kumtin e tij për ata që duan të kuptojnë se vullneti, bindja, pasioni dhe interesi i tij janë institucionet kryesore të këtij vendi. Pra, Edi Rama ta vë në diskutim pronën dhe lirinë personale, ai ta merr e ta kthen, ta zvogëlon e ta shton. Ai përvijon, përcakton e përkufizon dyshimin dhe menjëherë “Dullë Baxhaja”, pa vendim Gjykate, lëshohet fulikare me aparat në vesh mbi telefonat tanë, fshihet në dollap, hyn nën krevat, rri në pemën ngjit me dritaren, të fotografon, incizon, filmon e kështu me radhë dhe me vrap në bodrumet e vilës së Surrelit. Atje, në atë errësirë dhe pagjumësi, ai i sheh dhe vendos kë të thyejë, kë të thërrasë, kë të përdorë, kë të ndëshkojë. Turizmi policor me kamera në krah do të mbarojë shpejt, po ashtu edhe shantazhi ndaj aleateve elektoralë të Rilindjes, sepse paktet do të rivendosen, por ajo që mbetet është kapota totalitare me komça bronzi, me të cilën po na veshin.

Në Shqipëri, pa dyshim, ka shumë policë të ndershëm e të zotë, që i kanë kryer shërbime të vyera komunitetit, por ka edhe asish në të gjitha nivelet e saj, që s’kanë asnjë ndryshim me bozhibozukët dhe zaptijet e Perandorisë Osmane në ditët e veta më të këqija. Matrahulë me barkun lodër e fytyrën teneqe, shakllabanë, dylme e fytyrëshollë të murrëtyer e arrogantë, që janë bërë një me mbjelljen dhe trafikun e kanabisit, me kriminelë e zuzarë të çdo rangu kanë marrë poste drejtuese, ndonjë edhe drejtor. Me dyshimet e këtyre farë tipave do të përgjohen qytetarët. Këta do të jenë fytyra e virtytit kundër vesit. Arsyet dhe produkti do të merren me mend. Ligji ua beson këtyre tagrin e dyshimit.

Ligji i KÇK-së kthen mes nesh Dullë Baxhanë, spiunin dhe spiunimin e paligjshëm në funksion të brekusheve që kërkon të blejë Edi Rama për një mandat të tretë. Për të na mbushur mendjen, personazhe që as skuqen, as zverdhen, për mungesë dinjiteti, na marrin si shembull Ukrainën që kurrë s’ka qenë demokratike e për më tepër në luftë. Në Europën e BE-së, kjo nuk ekziston. Habi shkakton sjellja prej kodoshi e ndonjë ambasadori, i cili i njeh punët e ligjit që mbron për ne dhe fëmijët tanë, bash atë ligj që do ta luftonte për vete dhe fëmijët e tij. Shoqërisë shqiptare i janë bërë shumë padrejtësi nga kryeministrat e vet, por asnjë s’ka tentuar si ky, i cili si ofertë themelore ka suprimimin e lirive dhe shtetin policor në funksion të pushtetit personal.

Shoqëria dhe opozita, nëse e pranojnë këtë vetëm me mërmërima kundërshtie e pa akte rebelimi demokratik, do të jenë viktimat kryesore. Armiku i Ramës nuk janë kriminelët, por kundërshtarët. Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb