Më shumë se 500,000 persona në Izrael kanë marrë dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet. Izraeli ka nisur dhënien e dozave përforcuese për personat më të cenueshëm ndaj këtij virusi, në muajin e kaluar, dhe më vonë ka përfshirë në këtë kategori edhe të gjithë personat mbi 60 vjeç.

Autoritetet shpresojnë se dozat përforcuese do të ndalin valën e infektimeve të nxitura nga varianti Omicron. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se Izraeli ka 250,000 raste aktive me koronavirus. Mirëpo, vetëm 317 persona janë shumë të sëmurë. “Fushata e fundit e vaksinimit ka shënuar një moment historik”, ka thënë kryeministri izraelit, Naftali Bennett, përmes një deklarate.

“Faleminderit gjysmë milioni izraelitëve që kanë marrë dozën e katërt të vaksinës dhe kështu na kanë ndihmuar të gjithëve që të jemi më të sigurt”.

Izraeli ka qenë një prej shteteve të para që ka nisur fushatën e vaksinimit vitin e kaluar, përfshirë edhe dhënien e dozës së tretë të vaksinës. Gati gjysma e popullsisë ka marrë të paktën një dozë përforcuese. Prej shpërthimit të pandemisë, ky shtet me gati 9.5 milionë banorë ka regjistruar 8.298 vdekje me koronavirus.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: