Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur në lidhje me skandalin e korrupsionit të zbuluar së fundmi në doganë ne portit të Durrësit teksa ka thënë se Shqipëria është një vend ku korrupsioni është kapilar dhe personat e zbuluar në port janë kapilarët e fundit

Ai shtoi se në rastin kur kryeministri Rama ka privatizuar shtetin atëherë vendoset në dyshim gjithë sistemi dhe për pasojë nuk ka më shtet dhe se ka humbur çdo lloj serioziteti.

Sipas tij ky akt korruptiv nuk mund të bëhet pa mbështetjen e dikujt tjetër dhe se ata që janë sipër personave të zbuluar janë të lidhur me politikën dhe të mbrojtur nga ajo nga drejtësia e cila nuk vepron mbi këto fenomene.

“Komenti i parë është që ato thonë një të vërtetë sipas meje sepse Shqipëria është një vend ku korrupsioni është kapilar, këto janë kapilarët e fundit dhe gjithçka fillon nga lart. Mjafton të kujtoni skandalin e inceneratorëve për të kuptuar si funksionon vendi, këtu vihet në dyshim gjithë sistemi. Kur shteti është privatizuar, dhe ata punëtorë marrin para nën dorë atëherë nuk ka më shtet. Shteti ka humbur çdo lloj seriozitet, kjo është një provë më shumë. Duhet të kishte vepruar edhe drejtësia, qoftë edhe për të hetuar.

Ky akt nuk mund të bëhet pa mbështetjen e dikujt, doganierët janë bishti i fundit i korrupsionit kapilar. Ata që janë sipër tyre janë të lidhur me politikën dhe janë të mbrojtur nga ajo dhe rrjedhimisht janë të mbrojtur nga drejtësia e cila nuk vepron mbi këto fenomene. Kur vjen puna dhe nuk funksionon drejtësia mbi këto fenomene, këto bëhen galoponte. Kryeministri sa herë reagon reagon për të mohuar dhe përgënjeshtruar. Mund të thotë që këtë e bën News24 për të më bërë presion sepse është i ndershëm, etj. Sido që të jetë puna drejtësia duhet të veprojë, këtu nuk ndodh asgjë.

Nuk ka vendi siguri kombëtare, as ka pasur ndonjëherë. E dinë të gjithë që kalohet drogë, po ngrihen pallate me atë drogë. Shtetit i kanë rënë brekët nga të gjitha anët këtu, dhe është rehat sepse nuk ka armik, por do bëhemi armiqtë e vetes tonë nesër pasnesër. Njerëzit kanë nevojë për siguri jete, siguria kombëtare është fjalë e madhe. Duhet të kenë siguri që nuk të shkatërrohet biznesi po dole kundër shtetit dhe këta të bëjnë presion”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: