Pedagogu dhe aktivisti Endri Shabani, nga “Nisma Thurje” deklaron se sot në këtë situatë ekonomike qeveria bën fitim, ndërsa populli varfërohet duke theksuar si problem rishpërndarjen.

Në emisionin “Open” në News24, ku po diskutohet rritja e çmimeve të ushqimeve, Shabani tha se inflacioni është më i lartë se sa ai që deklarohet dhe se ndërkohë që rriten çmimet, të gjithë shqiptarët janë me borxhe, vetëm qeveria ka dalë me plus.

“Inflacion do të thotë zhvlerësim i parasë, nëse inflacioni është rritur me 20%, paraja është zhvlerësuar me 20%. Nëse çmimet e ushqimeve rriten me 24%, inflacioni është 24%.
Këta llogarisin gjithë çmimet dhe whiskeyn dhe arragostën. Rritja është shumë herë më e lartë. Ndihma ekonomike që i duhej dhënë pensionistëve duhet të ishte të paktën 20% që të kishte të njëjtën vlerë. Mamaja ime merr në muaj 102 mijë lekë të vjetra, me këtë ndihmën që jep paketa e dytë është 600 lekë të reja plus. Praktikisht mamaja ime është minus 19 mijë lekë në muaj, pa llogaritur çmimet e tjera.
Kadia thotë po t’i japim më shumë ndihmë ekonomike, zhvlerësojmë më shumë paranë. Mjafton të mos i japësh ndihmë oligarkëve. Këta kanë dalë shumë mirë. Janë në rregull këta, pse kanë nevojë që t’u japë lekë qeveria. Qeveria nëse do të ndihmojë, duhet t’u japë ndihmë atyre që janë në nevojë.
Ne sot kemi një nga popullsitë më të varfra në rajon, ndërkohë që Shqipëria ka burime natyrore për person më shumë se të gjitha.
Ato produkte që qytetari i zakonshëm harxhon përditë janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe jeta po bëhet më e vështirë. Ndërkohë që rriten çmimet, të gjithë shqiptarët janë me borxhe, vetëm qeveria ka dalë me plus, me bereqet. Ka shkuar 120 mln euro plus, pasi ka dhënë dhe ndihmën. Qeveria bën fitim, ndërsa populli varfërohet. Problem është rishpërndarja. Mamaja ime ka punuar që 15 vjeç, ka një jetë që punon dhe ndërkohë që sot merr një pension qesharak merr 600 lekë të reja dhe duket sikur qeveria po e ndihmon”, deklaroi Shabani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb