Nga LEONARD OLLI*

Bjerrja e përditshme e shtetit ligjor dhe shkelja e të drejtave më themelore të lirive të individit në vendin tonë, fatkeqësisht janë bërë tashmë objekt i vëzhgimit dhe konstatimit të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mediave botërore. Faqet e para të mediave të shkruara shqiptare, portalet online dhe kronikat televizive i referohen një investigimi të publikuar në gazetën britanike “The Sun”, mbi aktivitetin e ish-kryeministrit Toni Blair. Konsultat prej miliona paundësh që ai bën për shtete të ndryshme, janë vende ku të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë shokuese. Shumëkush është ndjerë i tronditur dhe i trishtuar që Shqipëria ishte e para në listën e këtyre vendeve, ku Blair ofron “këshillime vullnetare” apo pa pagesë, si një vend ku ka abuzime tronditëse me të drejtat e njeriut, përfshirë edhe torturat.

Në fakt, ajo që e bën edhe më të rëndë këtë fakt është se “The Sun” u referohet raporteve të “Amnisty International”, që faktojnë problemet e rënda që ka Shqipëria me shkeljen e të drejtave të njeriut. Mbipopullimi i burgjeve dhe ambienteve të paraburgimit, keqtrajtimet dhe dhuna e ushtruar në këto ambiente ka detyruar “Amnisty International” ta rifusë Shqipërinë në listën e vendeve me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Sigurisht që për të gjithë shqiptarët këto fakte të hidhura janë të njohura dhe këmbanat e alarmit po bien prej më shumë se një viti. Tashmë është shndërruar në një fenomen rutinë denoncimi i tyre në median e shkruar apo televizive, ku “standardet” e reja çnjerëzore në qelitë e paraburgimit e burgje detyrojnë të ndaluarit të flenë me turne apo në çimentot e ftohta. Faktet janë kokëforta dhe shifrat alarmante, të bëra publike nga Avokati i Popullit dhe OJF të ndryshme shqiptare.

Por, ajo çka e bën tërësisht paradoksale këtë fakt është se qeveria dhe Policia e Shtetit, me mburrje, paraqesin publikisht si arritje shifrat në rekorde historike të të ndaluarve, duke “harruar” situatën dramatike në këto ambiente, keqtrajtimet dhe shkeljen me të dyja këmbët të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Edhe më skeptikët kanë reshtur së justifikuar situatën dhe në heshtje pranojnë se paligjshmëria është shndërruar në model qeverisës. Parada e arritjeve imagjinare dhe e fasadave e ka kaluar qeverisjen në një realitet alla Matrix, duke e shkëputur krejtësisht nga realiteti i hidhur që përjetojnë shqiptarët.

Por gama e shkeljeve të të drejtave themelore është edhe më e gjerë. Ajo shtrihet nga pushimet e paligjshme në administratë, tek aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe në kreshendo kalon me prishjen e ndërtimeve të ligjshme, në emër të projekteve “madhore”.
Realiteti qeverisës dhe qasja që vetë kryeministri ka ndaj paligjshmërisë është arsyeja kryesore e kësaj dhune të shtrirë në çdo qelizë të jetës. Arroganca dhe megalomania që ai shfaq në çdo çast të veprimtarisë së tij dhe qeverisë që ai drejton ka sjellë për pasojë logjike e konkrete edhe kufizimin të lirive ekonomike, në mbrojtje të interesave të oligarkëve të rinj dhe monopoleve të tyre.
Vetëm pak ditë më parë raporti vjetor për Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë, botuar nga Fondacioni “Heritage” konstatonte se Shqipëria si pasojë e dobësimit të lirisë në biznes, lirisë fiskale dhe në investime, për herë të parë, pas 5 vitesh zbret në këtë klasifikim me 9 vende. Dhe ky krahasim është vetëm në raport me vitin e kaluar, që në realitet përkon me vitin 2013. Në këtë klimë regresi ka hyrë edhe situata e rendit dhe e sigurisë në vend, që reflekton dita-ditës jo vetëm në cilësinë e jetës, por edhe në ecurinë e biznesit dhe investimeve.

Bindshëm raportet ndërkombëtare nënvizojnë regresin që Shqipëria ka bërë në të gjitha fushat, madje deri në akuza se krimi i organizuar ka lidhje në qarqet më të larta qeverisëse (deklarata e ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, tetor 2014). Për rrjedhojë, qëndrimi i BE-së se çelja e negociatave për integrimin janë ende shumë larg, përbëjnë një rezyme të dhimbshme dhe qëndrim të qartë të faktorit ndërkombëtar për çka ndodh në Shqipëri. E ndërsa investigimi i “The Sun”, në mënyrë indirekte referon me negativizëm realitetet shqiptare, për fat të keq, ngjarja tronditëse në Spanjë, ku një pilot i FA-ve humbi jetën në transportin e lëndëve narkotike, një rast i paprecedent deri më sot, ajo e laboratorit të drogës në Xibrakë, etj., e referojnë Shqipërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë në faqet e para të shtypit botëror.

Është e pafalshme që në ditët tona, Shqipëria të shndërrohet në gur skandalesh apo scoop-esh të mediave botërore. Shqiptarët nuk e meritojnë të shndërrohen në delen e zezë të kontinentit dhe aq më pak këtë soj qeverisjeje.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb