Rreth një javë nga dita kur 76-vjeçarja Evanthia Thodhori apo Ballkua siç e njohin të gjithë, ka parë për herë të fundit djalin e saj, Leonardin, i njohur edhe si Koçole, në banesën modeste në fshatin Çukë të Sarandës ka pllakosur heshtja dhe sytë janë nga dera e nga telefoni.

Leonardi 46-vjeçar rezulton i zhdukur prej 7 prillit e çuditërisht bashkë me të rezulton pa nam e nishan edhe shoku i tij Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, me origjinë nga Fieri por prej vitesh banues në Sarandë e pronar i një biznesi në Ksamil.

Edhe pse shumë e dërrmuar dhe në çdo moment duke lotuar, Ballkua pranoi të fliste për zhdukjen e të birit.

Leonard Thodhori
Leonard Thodhori

Ballko, kur e ke parë për herë te fundit djalin tënd?
Për herë te fundit e kam takuar djalin të enjten e 6 prillit. Më çoi tek motra ime e më pas iku me një shok për të marr ushqim. Mesa mora vesh kishte shkuar tek një lokal rrugës për Ksamil dhe ishte kthyer. Këtë e mësova pasi pyeta kur nuk po e gjeja. Prej asaj nate nuk e kam parë më.

Si e konstatuat zhdukjen e djalit?
Të premten, në hyrje të Çukës kam vënë re makinën që përdorte djali të parkuar keq dhe çuditshëm buzë rrugës. Më bëri habi ai lloj parkimi. Kam pyetur dhe kam kërkuar për djalin por nuk e gjeta dhe askush nuk dinte gjë. Edhe banorë të fshatit më thanë që ishte e çuditshme si ishte lënë ashtu makina. Makina ishte e marrë me qira, nuk ishte e tij. Kur erdhi pronari i kompanisë për ta marrë, mezi u hap.

U gjet gjë në makinë?
Në makinë në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet qe përdorte djali. Kjo më bën te dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë.

Në të njëjtën ditë me djalin tuaj rezulton i zhdukur edhe Fatmir Sulovari, e njihni?
Po, është nga Fieri. Është shok me djalin. Ka pasur një lokal në Ksamil mesa di. Jam takuar me njerëzit e tij, më thanë që është zhdukur edhe ai.

Çfarë marrëdhënie kishte Leonardi me Fatmirin?
Shokë ishin. Vinte edhe tek shtëpia jonë ai. Ka sjellë edhe pantallona e bluzë që t’ia laja unë.

Keni kontaktuar me policinë dhe çfarë apeli keni?
Kam kontaktuar dhe më kanë thënë që përpjekjet tona janë të mëdha për të gjetur djalin. Unë kërkoj ndihmën e shtetit, të gjitha instancat të ngrihen në këmbë për Leonardin tim.

HETIMET
Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, janë dy personazhe të njohur për policinë në Sarandë. Ata rezultojnë të dy me precedentë të shumëfishtë penalë, të proceduar dhe dënuar disa herë për vepra te ndryshme penale. Policia ka fokusuar hetimet tek këqyrja e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike të dy të zhdukurve ndërkohë që dje janë marrë në pyetje edhe familjarë e shokë te dy 46-vjeçarëve. Burime konfidenciale bëjnë me dije se ka informacione në rrugë operative edhe për veprimtarinë e të zhdukurve, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia të ndodhemi edhe para një ngjarje të rëndë kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb