TIRANE- Shtimi i aktiviteteve artistike e kulturore në kryeqytet janë thelbi i marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe Ekphrasis Studio. Kjo marrëveshje synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave për artin publik, me qëllim përmirësimin cilësisë së jetës artistike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se marrëveshja do të krijojë mundësi për të gjithë ata që duan të zhvillojnë idetë e tyre në fushën e artit dhe kulturës, por edhe do t’i japë institucioneve një dokument se si duhet të zhvillojnë politikat e tyre kulturore.

“Po bashkëpunojmë për t’u siguruar që Tirana, përveç infrastrukturës për rrugët, shkollat, kopshtet, çerdhet, pemët, trotuaret, të jetojë edhe me art publik, me hapësira që çlirojnë energji të mirë për qytetin. Ka ardhur koha që të kemi një politikë të mirëfilltë, që të mos varet nga një kryetar bashkie apo një ministër kulture, që Tirana të ketë një manual të mënyrës se si funksionon arti publik dhe se si qyteti ushqen nevojën për art publik”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se falë këtij bashkëpunimi, por edhe vëmendjes së shtuar të Bashkisë së Tiranës, janë financuar shumica e të gjitha projekteve apo ideve që kanë sjellë pasurim të jetës kulturore dhe artistike në Tiranë.

“Më vjen mirë që për herë të parë kombinimi i Ministrisë së Kulturës me Bashkinë e Tiranës ka sjellë jo vetëm një financim të paprecedent ndonjëherë për artin dhe kulturën në Shqipëri, ku thuajse financojmë 99% të kërkesave që na vijnë, por kjo automatikisht ka shumëfishuar ofertat. Nëse më parë njerëzit mezi prisnin një aktivitet në muaj, sot ka dilema për 3-4 aktivitete në ditë. Kjo është një ditë e mirë për Tiranën dhe për Shqipërinë”, tha ai.

Nisur pikërisht nga ky trend, Veliaj theksoi se Tirana po kthehet në një qendër të kulturës rajonale. “Fakti që jemi kthyer jo vetëm në epiqendër të Shqipërisë, por gjithnjë e më shumë po shesim bileta për opera e teatër te qytetarët e Kosovës, Maqedonisë, të jugut të Serbisë apo të Malit të Zi, praktikisht po e kthejmë Tiranën në një kryeqendër të kulturës. Nuk besoj se do jetë e largët dita ku bashkë me ministren do konsiderojmë seriozisht të aplikojmë Tiranën si një kryeqytet i kulturës në Europë”, tha Veliaj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shtoi se Memorandumi i Bashkëpunimit i jep më shumë stimul përfshirjes së qytetarëve dhe do të krijojë modelin se si produkti kulturor të dominohet nga skena e pavarur.

“Qëllimi i projektit është të vendosë bashkëpunimin institucional, siç kemi në rast ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, e gjithashtu, të sjellë në vëmendje dhe rritur ndërgjegjësimin për artet publike në qytet, si dhe për të angazhuar komunitetet për të krijuar një qytet akoma më të bukur dhe të këndshëm me pjesëmarrje të gjithë qytetarëve. Në fakt, me Bashkinë e Tiranës kemi dy vjet që po japim modelin më të mirë se si dy donatorët më të rëndësishëm, por edhe politikëbërësit kulturorë, pra Ministria e Kulturës dhe Bashkia e kryeqytetit, janë duke i dhënë një stimul shumë të madh skenës së pavarur”, u shpreh Kumbaro.

Kryebashkiaku Veliaj tha se bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës do të vijojë edhe për një sërë projektesh të tjera, që do t’i japin qytetit më shumë pika referimi, siç është sot edhe Reja.

“Kemi filluar me Mirelën me instalacione si Reja, do të vazhdojmë së bashku te Zogu i Zi me një instalacion fantastik të Elidon Xhixhos. Po punojmë për një instalacion tjetër të ngjashëm me Renë, por kësaj here prej druri, të quajtur ‘Radura’”, u shpreh ai. Ndërkaq, në 1 dhe 3 Qershor, në sheshin Skënderbej, Tirana do të mirëpresë në koncert këngëtarët shumë të njohur shqiptarë, Ermal Meta dhe Rita Ora.

Përmes këtij Memorandumi synohet forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional për realizimin e projektit “Pjesëmarrja e komuniteteve në Tiranë në Politikat dhe Artin Publik”, mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar për Larminë Kulturore” (UNESCO IFCD) gjatë periudhës Mars 2018 – Tetor 2019. Ai ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm qeverisje për artin publik, me anë të ndërgjegjësimit dhe procesit së pjesëmarrjes, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin, shoqërinë, për të zhvilluar rekomandime për politiken dhe planin e aksionit, duke mbështetur rritjen e përfaqësimit të femrave artiste në projektet e artit publik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb