Rastet me Covid-19 kanë njohur rritje nga dita në ditë gjatë muajit të fundit në qarkun e Beratit. Infektimet me SarsCov-2 janë shtrirë gjerësisht brenda institucioneve arsimore. Mes rasteve të sotme, të konfirmuara “pozitive” me koronavirus janë 2 nxënëse dhe një mësuese në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në Berat, një nxënës në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” në Berat dhe 1 nxënëse në shkollën 9-vjeçare të fshatit Lapardha.

Rastet e konfirmuara “pozitive” në këto shkolla rezultojnë të jenë kontakte të rasteve të mëparshme që janë konfirmuar më herët të infektuar brenda këtyre shkollave. E ndërsa rastet me Covid-19 po shtohen çdo ditë e më tepër brenda gjimnazit më të madh në qytet, virusi Covid-19 është shtrirë edhe brenda Gjykatës së Beratit. E mbyllur disa ditë më parë, pas konfirmimit “pozitive” të një punonjëseje, sot edhe një sekretare e kësaj gjykate ka rezultuar “pozitive”, ndërkohë që pranë DSHP-së Berat ende nuk kanë mbërritur përgjigjet e të gjithë tamponëve që i janë kryer punonjësve të administratës së kësaj gjykate.

Mes rasteve të sotme pozitive në Berat, ku pjesa më e madhe e të cilëve janë raste kontakti të rasteve të mëparshme, janë regjistruar edhe dy raste të reja brenda institucioneve publike. Një punonjës në zyrat e OSHEE-së dhe një punonjëse e administratës së Postës Shqiptare janë konfirmuar sot “pozitiv” me Covid-19. Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat konfirmojnë se shtimi i rasteve pozitive në Berat ka dyfishuar këtë muaj edhe numrin e testimeve të kryera. Të njëjtat burime deklarojnë se për çdo rast të konfirmuar brenda institucioneve publike janë kryer dezinfektimet dhe mbylljet e nevojshme, sipas protokolleve të përcaktuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: