Policia e Shtetit ka vendosur gjatë 24 orëve të fundit 769 masa administrative për qytetarët që janë konstatuar pa maska mbrojtëse.

Punonjësit e Policisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Edhe gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe në orët e mbrëmjes.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 600 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 22 shtetas, të cilët kanë thyer protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke u grumbulluar në tubime të paligjshme. Në përfundim të veprimeve këta shtetas janë proceduar penalisht dhe janë ndëshkuar edhe me masën administrative 3000 lekë secili.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 169 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerët pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë dhe të raportojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: