NGA VJOLLCA KONGJONI*

Italiania, “Veneto Bank”, sipas prokurorisë së Tiranës rezulton të jetë e përfshirë në skemën gjigante të pastrimit të parave me organizator kryesor Francesco Beçhetti. Transfertat e paligjshme prej miliona eurosh janë kryer nëpërmjet “Veneto Bank” në Tiranë.

Për këtë arsye Gjykata e Tiranës vendosi dje arrestimin e drejtoreshës së kësaj banke, Pranvera Gjika. Por kjo nuk është hera e parë që “Veneto Bank” përfshihet në afera të tilla. Banka italiane në muajin shkurt të këtij viti u përfshi në një skandal të madh mashtrimi te aksionerëve të saj dhe prokuroria e Romës dhe e Trevizos mori nën hetim drejtuesit kryesorë të saj.

Hetimet nga ana e Prokurorisë nisën pas ankesave të aksionerëve të Bankës për shkurtim të kapitalit rregullator me një dëm financiar prej 345 milionë eurosh si dhe për disbursim  te kredive të dyshuara si pa kolateral që çuan në një përkeqësim të portofolit të kredisë dhe humbje prej më shumë se 192 milionë eurosh.

Duket se përfshirja në këto skandale po e çon Bankën Veneto në Itali drejt falimentimit. 30 filiale të këtij instituti kredie do të mbyllen brenda këtij viti, ndërkohë që 40 të tjera janë parashikuar për dy vitet e ardhshme. Sipas të përditshmes lokale të Venecias “La Nuova” mësohet se mbyllja e degëve të bankës Veneto vjen si pasojë e humbjeve financiare të saj në 2014-ën, prej 986 milionë euro.

Duke qenë pranë falimentit drejtuesit administrativë të Bankës Veneto kanë parashikuar strategjinë dy vjeçare të rikuperimit të humbjeve dhe rikthimit të të ardhurave në 170 milionë deri në 2017-ën. Në planin dy vjeçar të institutit të kredive të Trevizos përfshihet shkurtimi me 10% i personelit duke lenë pa punë qindra punonjës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: