KRUJE
Lumi Ishëm, i cili formohet nga bashkimi i Lumit të Tërkuzës dhe Lumit të Tiranës dhe që përshkon fshatra të Tiranës, Krujës dhe Durrësit prej dekadash po përballet me ndotje alarmante. Përgjatë gjithë gjatësisë së tij, shihen pirgje të mëdha me mbetje të materialeve plastike, qelqe, lëndë drusore dhe mbeturina të konsumit familjar, duke shkaktuar dëmtim të biodiversitetit të lumit.
Nga një vëzhgim i kryer në terren nga News24, ky lumë nuk ndotet vetëm nga mbetjet urbane që sjell rrjedha nga Tirana dhe Fushë-Kruja, por edhe nga inertet që hidhen nga firmat e ndërtimit, mbetjet e fasonerive dhe serviseve të makinave.
Ndonëse shqetësimi është ngritur disa herë nga banorët e Krujës, bashkia e këtij qyteti nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e zonës, duke pretenduar se përgjegjësia për mbrojtjen dhe pastrimin e lumit i takon Ministrisë së Mjedisit.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Epidemiologjisë në Krujë, jashtë kamerës pohon se ndotja e lumit paraqet rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe kurrsesi uji i tij nuk mund të përdoret as për konsum dhe as për vaditje.