Ish-ministri i Financave Arben Malaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, komentoi situatën ekonomike të krijuar në kohën e pandemisë.

Malaj theksoi se pandemia ka ndikuar në ekonomi. Ai nënvizoi se qeveria duhet që të veprojë me program.

Për Malaj, vaksinimi i popullatës duhet bërë sa më shpejt, me qëllim që të mos humbasim sezonin turistik, pasi do ishte katastrofë për ekonominë shqiptare.

Gazetari: Jeni cilësuar si ekspert prej dekadash i ekonomisë. Ju sapo më thatë se nuk do jeni në listën e kandidatëve këtë fushatë, kështu që shpëtojmë deri diku edhe nga ethet e fushatës.

Arben Malaj: Sigurisht është një mirënjohje për të shprehur gjithë atë mbështetje, por besoj se ka nevojë që ne si persona publikë t’i kalojmë hallkat, përvojën parlamentare, përvoja në qeveri, pjesën akademike dhe jo të kapemi fort pas karriges së deputetit apo të ministrit. Gjeneratat duhet të harmonizohen, kështu që do kemi fokus në pjesën akademike, të konsulencës, të këshillës. Gjithmonë dua t’i shërbej vendit tim, por nuk është e thënë patjetër që t’i shërbesh me mandate deputeti.

Gazetari: Unë shpresoj që në këtë bisedë të kemi sa më shumë objektivitet ekonomik sesa pasion politik. Do ta nisim me situatën e pandemisë. Ka ardhur një fazë dukshëm tani rikthim i rrezikut, pas një momenti ku kujtuam së gjërat ishin duke u përmirësuar. Jemi sërish me shtim të kufizimeve, jo kushedi sa dramatike, por me ekonomi që po vuan prej 1 viti dhe me kritika të forta se kjo ekonomi nuk po mbështetet sa duhet, siç kemi parë në vende të tjera, ndoshta më të pasura, por edhe në vendet e rajonit. Ju e ndani këtë opinion?

Arben Malaj: E ndaj këtë shqetësim. Unë e kam bërë publike, ka kohë që bashkëpunoj me kryetarin e Partisë Agrare Ambjentaliste zotin Agron Duka dhe dje pati një deklaratë sensibilizuese, sepse situata është duke u përkeqësuar. Duke iu dhënë meritën mjekëve tanë dhe infermierëve për punën e madhe që bëjnë, por po përkeqësohet sepse ka shumë faktorë. Pandemia ka kosto, humbja e jetëve njerëzore është rritur, numri i të infektuarve është rritur, kostot do shkojnë nga kostot e shëndetit publik e individual tek ekonomia. Thelbi i asaj që duam të sensibilizojmë është fakti që qeveria duhet të gjejë të gjitha mënyrat që të ndihmojë që vaksinimi në Shqipëri të ecë, në mënyrë që të mos humbim sezonin turistik, se do ishte një goditje e rëndë në ekonomi në tërësi.

Gazetari: Ky është çelsi për ju, vaksinimi…

Arben Malaj: E para tre rregullat e arta duhet të kihen parasysh, maska, distancimi edhe higjena personale duhet ta bëjmë pjesë të përditshmërisë. Frika se ka viruse të llojeve të ndryshme do mbetet thuajse i përhershëm. Ajo që e bën masën më parandaluese është vaksinimi. Ajo që na bëri përshtypje ishte zgjidhja për vaksiinimin që bëri qeveria greke dhe ajo izraelite. Izraeli është vend ii parë që ka vaksinuar popullatën dhe qeveria greke, që ka të varur ekonominë shumë nga turizmi bëri marrëveshje strategjike dhe tashmë ata po bashkëpunojnë që të ecë sa më shpejt shkalla e vaksinimit, në mënyrë që kur të nisë turizmi, Greqia të konsiderohet vend i sigurt.

Puna është si do na klasifikojnë neve, shtetet nga vijnë turistët. U dhanë disa të dhëna optimiste, u krijua ideja që jemi më përpara se të tjerët, por po shikojmë se jemi pas vendeve të rajonit. Nuk duhet të fokusohemi thjesht tek zgjidhja që unë jam më i miri për të zgjidhur problemet e vendit tim ose ju jeni me fat që më keni mua ose këtu është më mirë se kudo tjetër. Puna është që situata është e vështirë për të gjithë, por një qeveri duhet të ketë program dhe duhet ta avancojë e të ketë qëllim. Vendet si ne që varen nga turizmi, duhet të jemi në fokus për zgjidhje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Edhe borxhi që merret, që duket se merret lehtë, do paguhet një ditë. Njerëzit duhet të bëjnë maksimumin e tyre, por qeveria është i vetmi instrument për të shpejtuar vaksinimin e popullatës sa më shpejt të jetë e mundur, me opsione alternative, duke ndjekur edhe shembullin e Greqisë.

Gazetari: Me rritjen e tanishme, duket e vështirë që të kemi vaksinim në masë për të shpëtuar sezonin turistik. Përtej vaksinës që mbetet problem, ka hapësira qeveria për të ndihmuar ekonominë? Edhe kufizimet që fillojnë tani deri në orën 20:00 lejohen bizneset e do kemi baret e restorantet me ekonomi të gjunjëzuar, në mos të shtrirë në tokë.

Arben Malaj: Unë besoj se do ketë një lloj impakt negativ. Unë i ndjek ecurinë e vendit tim. Dëgjova me vëmendje doktor Alihemetin, që thoshte ok do shkurtojmë oraret, por do rrisim numrin brenda orarit që lejohet të njerëzve brenda një klubi dhe kjo do na sjellë prapë të njëjtën gjë. Sigurisht ka këndvështrime të ndryshme.  Kur qeveria jep masa parandaluese, duhet të komunikojë me qytetarin, punonjësin, me punëdhënësin, me punëmarrësin. Nëse nuk ka harmoni në kohë, krijohen shumë plagë sociale, se vret sëmundja, por vret edhe papunësia e varfëria.

Gazetari: A është mundësia që qeveria ta bëjë këtë gjë, pra edhe të ndihmojë ekonominë?

Arben Malaj: Është kosto që duhet mbajtur. Prsh ndryshimi i buxhetit që u bë, pa u tharë mirë boja e buxhetit të 2020, u argumentua se u bë që të rritet mbështetje për grupet sociale, gjë që mund të ishte bërë që në dhjetor. Shtresat sociale në nevojë duhet të mos jenë viktima të një krize që zgjatet në kohë. Mbyllja 2-javore është një masë e mirë, por unë besoj se nuk është përfundimtare dhe ne do kemi specifikën tonë se do jemi në fushatë elektorale.

Vetë agresiviteti elektoral ndërpartiak e ul shkallën e ndërgjegjësimit qytetar për të ruajtur nga infektimi me koronavirus. Rruga me gjoba është efikase për vtra të mëdha, por nuk janë efikase për të gjithë popullatën. Skema më e mirë ka qenë që pjesa më dërrmuese e qytetarëve bëhen aktivë të kufizimeve ndaj Covid-19. Duhen marrë më shumë përgjegjësi nga qytetarët.

Gazetari: Si do jetë ekuilibri mes kufizimeve dhe stimulimit të ekonomisë. Sa zgjat mund të shkohet duke ruajtur balancën? Ne jemi klasifikuar si vend me mb2ështetje më të vogël gjatë pandemisë. Por ndërkohë planet për veprat e mëdha infrastrukturore nuk ndalen.

Arben Malaj: Po e vërtetë, planet për vepra të mëdha infrastrukturore nuk ndalen dhe është problem. Të mundësh një virus, elementi kryesor është kredibiliteti. Qeveria mund të riskudeluar disa projekte, por nëse i japim më shumë prioritet PPP-ve dhe nuk ka para për njerëzit që janë në nevojë, ne shkojmë drejt një borxhi, me problematikën që ka. Shefja e FMN kishte këshillën, që për të mbrojtur njerëzit tuaj, shpenzoni. Por mbani regjistër, se një ditë do paguani borxhet.

Gazetari: Sa e parashikoni ju z Malaj se do të zgjasë një situatë e tillë, ku përtej shëndetit, vihet në rrezik edhe ekonomia e kjo gjë ka pasoja afatgjata.

Arben Malaj: Pak para se të vij këtu, kryeministrja e BE-së thoshte se ne nuk do ja dalim dot me pandeminë deri nga fundi i verës. Kjo është sfidë globale dhe vendet po mundohen që të shpërbëjnë atë prodhimin vetëm në disa qendra të mëdha të kompanive farmaceutike, duke krijuar mundësinë për t’u prodhuar edhe brenda vendeve të tyre, si për të shkurtuar kostot, si për të shkurtuar fondet, si për të rritur shpejtësinë e vaksinimit të popullsisë.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb