VLORE – Shtyhet marrja në pyetje e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Ndërtim i paligjshëm” lidhur me lejen e dhënë për një pallat 11-katësh në këtë qytet. Burime zyrtare nga prokuroria e qytetit bregdetar, bënë me dije se ditën e djeshme ishte caktuar që të merrej në pyetje Gjika, por kjo është shtyrë për shkak të kërkesës së bërë nga avokati i tij mbrojtës. Mësohet se avokati i ka dërguar një shkresë organit të akuzës, ku ka kërkuar shtyrjen e marrjes në pyetje të klientit të tij. Burimet e mësipërme sqaruan se avokati e ka argumentuar kërkesën e tij, me gjendjen shëndetësore të Shpëtim Gjikës, i cili ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë. Kreu i Bashkisë së Vlorës, u arrestua pasditen e 6 shkurtit për lejen e dhënë për një pallat 11-katësh në qendër të qytetit bregdetar. Ndërkohë që më 13 shkurt, Prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të këtij qyteti për lirimin e kryebashkiakut, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Në kërkesën e saj, drejtuar Gjykatës së Apelit Vlorë, Prokuroria ka renditur tetë argumente se ku ka gabuar Gjykata e Shkallës së Parë në zëvendësimin e masës së sigurisë për personin e dyshuar. Në lidhje me abuzimet e bëra me lejen e dhënë për pallatin në fjalë janë arrestuar, shefja e Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Doriana Sulaj dhe biznesmeni i ndërtimit, Artur Haxhi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: