TIRANE

Zvarritet procesi ndaj Kelmend Balilit. Për të tretën seancë radhazi, Prokuroria nuk mundi të shpallë pretencën ndaj të pandehurit, për shkak të mungesës së ish-zyrtarit të lartë dhe mbrojtësit të tij ligjor. Përmes një shkresë dërguar nga burgu, Balili informonte trupën gjykuese se për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të ishte i pranishëm në seancë, duke kërkuar të mbrohej nga avokati Theodhori Sollaku. Por edhe ky i fundit, mungonte për arsye të paqarta, sikurse relatoi gjykata. Duke ngritur dyshime për zvarritje të qëllimtë të procesit nga ana e avokatit Sollaku, trupa gjykese vendosi të gjobiste atë në shumën e 10 mijë lekëve.

Më herët, për të shmangur ndonjë tentativë për bllokim të procesit, gjykata në mungesë të mbrojtësit të zgjedhur pati caktuar një avokat kryesisht, që të përfaqësonte interesat e Balilit. Por edhe avokati i paguar nga shteti, përmes një shkrese dorëzuar pranë sekretarisë së gjykatës, kërkonte shtyrje të seancës, duke argumentuar se për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të ishte i pranishëm.

Bashkangjituri avokati kryesisht vinte në dispozicion të gjykatës edhe raportin mjekësor për të provuar paaftësinë e përkohshme në punë. Ndaj gjendur përpara rrethanave të tilla, gjykata firmosi shtyrjen e seancës për në datën 8 prill.

Kelmend Balili, akuzohet për trafik narkotikësh kryer në kuadër të grupit kriminal, krijim dhe drejtim të grupit kriminal dhe pastrim parash. Pas më shumë se dy vitesh në arrati, pak muaj më parë ai vendosi të vetëdorëzohej dhe po gjykohet me procedurë të përshpejtuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb