Seanca e radhës për ekstradimin e shtetases ruse Svetlana Timofeeva filloi të premten në Gjykatën e Elbasanit me një debat jo formal, nëse gjyqi duhej të bëhej me apo pa praninë e gazetarëve.

Gjyqtari i çështjes, Elis Dine, pasi bëri me dije se në sallë nuk do lejoheshin kamerat, hapi për diskutim me palët çështjen për praninë e gazetarëve, duke përmendur se në çështje mund të kishte sekret hetimor.
I pyetur nga gjyqtari, prokurori Mustafa Turku i kërkoi gjykatës që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura. Turku po ashtu iu referua sekreteve hetimore, pavarësisht se çështja në fjalë ka të bëjë me shqyrtimin e një kërkese për ekstradim nga Rusia.

Avokati i Timofeevas, Isuf Shehu e kundërshtoi këtë qëndrim. Shehu tha se nëse konsiderohej se në seancë kishte çështje të sekretit kombëtar, çështja duhej të pushohej në themel pasi ligji ndalon ekstradimin në rast të prekjes së interesit kombëtar. Përndryshe, Shehu tha se media duhej të ishte e pranishme në sallë, pasi asnjë nga të pranishmit nuk kishte certifikatë sigurie, që nënkupton se në çështje nuk do të diskutoheshin sekrete.

Ky reporter i pranishëm në seancë, i pyetur nga gjyqtari Dine, tha se seancat gjyqësore në Shqipëri ishin publike siç kërkohej nga Kushtetuta dhe se çështja në fjalë kishte të bënte me respektimin e të drejtave të njeriut. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 42 dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sanksionon detyrimin për një gjykim publik dhe përveç rasteve të veçanta, gjyqet në Shqipëri janë të hapura për publikun dhe median.

Gjyqtari tha se për themelin do të shprehej në përfundim të procesit, por pranoi që gazetarët mund të qëndronin në seancë, pavarësisht këmbënguljes së prokurorit për mbylljen e seancës.

Pasi u pranua prania e gazetarëve, gjykata mori kërkesë nga Timofeeva e këshilluar në vend nga mbrojtësit që kërkesa e prokurorisë për ekstradimi e saj t’i jepej në rusisht. Timofeeva tha përmes përkthyeses se kërkonte edhe kohë që të njihej me kërkesën. Prokuroi i çështjes u shpreh dakord me kërkesën si e drejtë procedurale e palës.

Gjykatësi Dine u tërhoqi vëmendjen palëve se kjo ishte shtyrja e tretë e seancës. Ai tha se kërkesa mund të ishte paraqitur më herët, pasi palët kishin kohë, por tha se në respektim të drejtave të Timofeevas e pranoi kërkesën. Pas diskutimit me palët Dine njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohej në 17 mars në orën 8.30./reporter.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb