Seanca e sotme gjyqësore për rastin e “Kumanovës” në Maqedoni u shty për më 19 maj. Kjo pasi që nuk ka hapësirë me madhësi të mjaftueshme ku do të ketë vend për të akuzuarit me avokatët e tyre, gazetarët dhe sektorin civil që monitorojnë gjykimin. Gjykatësja Verka Petrovska njoftoi se e ka bashkuar procedurën e gjykimit për grupin e Kumanovës së bashku me 8 të akuzuar të ri nga Lagja e Trimave që akuzohen për ndihmë logjistike të luftëtarëve nga Kosova.

Duke marrë parasysh këtë fakt, tani gjithë gjykimi do të fillojë nga e para, edhe pse gjykimi për 29 të akuzuarit nga grupi që luftoi në lagjen e Trimave kishte arritur tashmë në gjysmën e tij. Kjo domethënë se të akuzuarit përsëri do të deklarohen për fajësinë apo pafajësinë e tyre, si dhe gjithë dëshmitarët do të duhet të ridëgjohen, përfshirë edhe dëshmitarët e fshehur që deri më tani pengonin gazetarët që të ndjekin seancën, raporton KP.

Duke parë numrin e personave që duhet të marrin pjesë në gjykim, Gjykata Themelore e Shkupit ka kërkuar nga Gjykata Supreme që t’ia lëshojë sallën që fillimisht shfrytëzoheshte për këtë gjykim, por kryetarja e supremes Lidija Nedellkova refuzoi me arsyetimin se salla nuk është e paraparë për gjykime. Arsyetimi i fundit nuk korrespondon me përgjigjen e parë të Nedellkovës e cila nuk e lejoi sallën me arsyetimin se po rinovohet.

Lidija Nedellkova madje kërkoi që ky proces të zhvillohet jashtë pallateve të gjyqit ku do të ketë mundësi teknike për të ngritur nivelin e sigurisë, në mënyrë që të mos e pengojnë as punën e gjykatës së sajë e as të Gjykatës Themelore. Salla që tani Nedellkova refuzon ta lëshojë është përdorur 2, 3 gjykimet e para të këtij procesi por edhe të shumë të tjerëve ku ka pasur më shumë të akuzuar.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: