TIRANË

Kryeministri Edi Rama është shprehur kundër shtyrjes së shlyerjes së kredive me një vit ashtu siç kanë vepruar disa vende të prekura nga koronavirusi në ndihmë të bizneseve. Në një intervistë ‘live’ në News24, Rama deklaroi se shtyrja për 1 vit e kredive do të thotë që ne t’i lëmë bankat në pikë të hallit. Ai bëri dhe një thirrje apo paralajmërim për bizneset e mëdha.

Megjithatë z. Rama, ju më thatë që i keni dëgjuar, e keni marrë parasysh propozimin e shtyrjes së kredive, të pagesës së taksave, emetimin e kartëmonedhave të reja?

Ne kemi marrë parasysh gjithçka që mund të bëjmë. Kreditë janë shtyrë 3 muaj, ata t’iu drejtohen bankave. Shtyrja për 1 vit e kredive do të thotë që ne t’i lëmë bankat në pikë të hallit. Për çfarë arsye duhet të shtyjmë pagesën e taksave të kompanive të mëdha. Me çfarë do ta financojmë ne luftën nëse shtyjmë pagesat e kompanive të mëdha. Taksat janë detyrime që janë të pashmangshme, kështu që këto janë nga ato sugjerimet që thashë, dëshira në kohë paqeje, nuk janë sugjerime për kohë lufte. Kjo tregon se disa prej këtyre njerëzve të nderuar nuk e kanë marrë vesh që jemi në luftë nuk është bërë deti kos… Unë jam ai që në kohë paqeje akuzohem si i oligarkëve padrejtësisht. Dua të jem i drejtpërdrejt, e konsideroj të turpshme që ata njerëz që kanë ngritur biznese të mëdha të akuzohen dhe baltosen siç janë akuzuar dhe baltosen por është koha t’iu them atyre se jeni të parët që duhet të sakrifikoni për popullin shqiptar. Nëse ju nuk sakrifikoni nuk ka më një vend ku ju mund të vazhdoni të bëni biznes rehat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb