Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, komentoi kërkesën që kryeministri Edi Rama i bëri sot Kuvendit për zgjatjen e deri më 31 mars të gjendjes së jashtëzakonshme.

Duke folur për media pas tryezës së opozitës për paketën anti-shpifje, Kryemadhi tha se Rama po kërkon të mbulojë fatkeqësinë e 26 nëntorit, duke kaluar në një situatë tjetër për të mbyllur gojën e mediave, si dhe për të qëndruar sa më larg zgjidhjes së krizës, në të cilën ndodhet Shqipëria.

“Kërkesat e Ramës nuk janë gjë tjetër veçse një largim nga 9 kushtet e Bundestagut, largim nga problemet që ka sot Shqipëria, duke filluar me atë që është më e rëndësishmja se në pranverë KE kërkon të ecë përpara me integrimin e vendit tonë dhe të Maqedonisë së Veriut. Rama ka një agjendë politike anti-evropiane, anti-shqiptare”, tha Kryemadhi.

Mesazhi i plotë:

Së bashku me Partinë Demokratike, është një bashkëpunim me të gjitha shoqatat e mediave. Është një hap tjetër që shtohet në axhendën politike të Opozitës së Bashkuar, që ka të bëjë me lirinë e mediave, me fjalën e lirë, me liritë themelore të qytetarëve. Por njëkohësisht përfitojmë nga rasti për të sensibilizuar edhe njëherë opinionin publik dhe jo vetëm, të gjithë ata që kanë sy e veshë, por që nuk duan të shikojnë e të dëgjojnë, përsa i përket propozimit të sotëm të Kryeministrit për zgjatjen deri në mars të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Tashmë kryeministri kërkon për të mbuluar në mënyrë të vazhdueshme fatkeqësinë e tërmetit të 26 nëntorit, për të kaluar në një situatë tjetër dhe për të mbyllur gojën e mediave dhe të gjithë kritizerëve të tij, e tjetra për ti qëndruar sa më larg zgjidhjes së krizës politike në të cilën gjendet sot Shqipëria.

Kërkesat e qeverisë sot dhe qeverisë Rama nuk janë gjë tjetër veçse largimit nga 9 kushtet e Bundestagut, nuk janë gjë tjetër veçse largim nga problemet që ka sot Shqipëria, duke filluar nga ajo që është më e rëndësishme, që në pranverë KE kërkon që të eci përpara me hapjen dhe çeljen e negociatave për Shqipërinë së bashku me Maqedoninë e Veriut, por mënyra që z. Rama kërkon që të zvarrisi dhe të largojë sa më larg Shqipërinë nga Bashkimi Europian nuk është gjë tjetër, sepse tashmë më çfarë kuptojmë ne zoti Rama ka një axhendë politike anti europiane, ka një axhendë politike anti Shqiptare. Ky është momenti i parë që ne njihemi sot me kërkesën e tij, do të vazhdojmë konsultimet tona me partnerët tanë ndërkombëtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por nga na tjetër dhe më të gjithë grupet e interesit që kanë të bëjnë për sa i përket situatës politike dhe ekonomike.

Kolapsin ekonomik në të cilën shumë shpejt pritet që Shqipëria të kalojë dhe mendoj që ajo që është shumë e rëndësishme është që edhe me këtë gjë të gjithë ekspertët tanë të ekonomisë duhet të fillojnë dhe të merren. Largimi i z. Arben Malaj nga bordi i Bankës së Shqipërisë dhe zëvendësimi i tij me ndonjë kasnec të z. Rama nuk është gjë tjetër, mund të jetë një lëvizje tjetër politike për të mbuluar gropën e zezë ekonomike që po kalon sot Shqipëria, spostimi i të gjithave fonde e te tjera me radhë, ashtu sikur se mbulimi i mos përballimit të situatës emergjencës civile për sa i përket çështjes së tërmetit të 26 nëntorit. Faleminderit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb