Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, reagon pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për të shtyrë me dy javë nisjen e vitit të ri shkollor, nga 13 shtatori më 27 shtator.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Pampuri thekson se shtyrja e nisjes së shkollës dëshmon dështimin e qeverisë me mësimin online, ndërsa shton se ky vendim do të sjellë tjera boshllëqe për nxënësit.

“Shtyrja e vitit shkollor dëshmon se Ministria e Ç’arsimit ka dështuar me mësimin online dhe mësuesit ndihmës per familjet me femijet me aftësi te kufizuar.
Boshllëqet nga dështimi i mësimit online dhe mangësitë në mësues ndihmës nuk mund të zgjidhen duke shtyrë datën e nisjes së procesit mësimor, e cila ne vetvete nuk bën gjë tjetër veçse krijon hendeqe te tjera per nxenesit, sa i përket njohurive për vitin e ardhshëm mësimor. I gjithë ky ç’organizim vjen pikërisht nga paaftësia për të menaxhuar situatën përballë pandemisë, si me mësimin online, ashtu edhe me mësuesit ndihmës.
Detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta. Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorrën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit”, shkruan Pampuri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb